Lista Serbe ka shpallur fitoren e saj në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës. Kandidatët për kryetarë të komunave nga kjo parti kanë bërë të ditur para gazetarëve se në bazë të rezultateve të tyre jozyrtare që posedojnë, Lista Serbe ka fituar këto zgjedhje me mbi 90 për qind të votave.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakic, fitoren e tij e ka quajtur fitore të popullit serb dhe shtetit të Serbisë në këto hapësira.

“Shpall fitoren e Listës Serbe, përkatësisht fitoren e popullit serb. Ajo që dua të them në fillim është se bojkoti i opozitës dhe disa kuazi-satelitëve këtu në terren nuk ka pasur sukses. Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave në katër komunat veriore. Unë kam të dhëna jo zyrtare sipas të cilave në katër komunat veriore Lista Serbe ka fituar 94.24 për qind të votave. Në veri të Mitrovicës kjo përqindje është 90.18, që do të thotë se në raport me zgjedhjet e vitit 2017, 1675 vota më shumë ka marrë Lista Serbe”, ka thënë Rakic.

“Do ta përsëris edhe njëherë, se bojkoti i opozitës nuk ka pasur sukses sipas të cilit është tentuar që popullin serb ta çojë në duart e Prishtinës. Faleminderit shtetit të Serbisë, Marko Gjuriçit, Aleksandar Vuçiçit, Qeverisë së Serbisë, për apelin që i kanë bërë popullit serb për unitet”, ka thënë Rakiç.

Edhe kandidatët e tjerë për kryetarë të komunave tjera kanë folur, duke thënë se me këtë fitore është dëshmuar fuqishëm fitorja e popullit dhe shtetit të Serbisë këtu.
Në fund të kësaj konference për gazetarë, të pranishmëve iu është drejtuar përmes linjës telefonike edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka përshëndetur dhe falënderuar popullin serb për daljen masive në këto zgjedhje.

Sipas tij, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave vitale dhe nacionale, si dhe interesave më të rëndësishme të shtetit të Serbisë.
“Njerëzit tonë kanë dëshmuar energji jashtëzakonisht të madhe dhe dëshirën se duan të luftojnë për të ardhmen e tyre dhe një të nesërme më të mirë për fëmijët e tyre. Me këtë fitore nuk do t’i zgjidhim të gjitha problemet tona, por kemi treguar se duam unitet në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe zgjidhjen e përbashkët të tyre. Mendoj se pas të gjitha kërcënimeve nga shqiptarët dhe disa serbë, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të luftës për interesat tona vitale dhe nacionale dhe interesat tona më të rëndësishme shtetërore”, tha përmes telefonit Vuçiç.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb