Sonte  në mbrëmje do të luhet ndeshja e parë eliminatore për kampionatin Europian dhe Shqipëria do të kërkojë ta nisë mbarë rrugëtimin e saj kundër Turqisë. Një duel që nuk është i panjohur dhe ka prodhuar ndeshje plot emocion në të shkuarën.

* Ajo e së premtes do të jetë ndeshja e 11-të që do të luhet mes Shqipërisë dhe Turqisë. Deri tani, dy kombëtaret janë përballur 10 herë në të gjitha kompeticionet (përfshirë edhe miqësoret) dhe bilanci është i barabartë: 4 fitore Shqipëria, 4 fitore Turqia dhe 2 ndeshje barazim.

* Interesant është fakti që golavarazhi që kanë prodhuar 10 sfidat e mëparshme është 14/10 në favor të kuqezinjve. Kombëtarja ka shënuar 14 gola ndaj Turqisë dhe ka pësuar 10. Rezultatet më të thella kanë qenë 3-0 për Shqipërinë dhe 1- 4 po në favor të Shqipërisë.

* Golashënuesi më i mirë shqiptar në sfidat kundër Turqisë është Alban Bushi, i cili ka arritur të gjejë rrjetën 3 herë. Raklli, Sadiku dhe Përnaska kanë shënuar nga 2 herë dhe të tjerët nga një.

* Shenjol Gynesh do të debutojë në krye të stolit të Turqisë në “Loro Boriçi”. Trajneri i njohur turk u rikthye sërish në kombëtare, teksa më parë e ka drejtuar këtë skuadër në vitet 2000-2004. Ai qëndroi në krye të pankinës në 50 ndeshje në atë kohë kur ka marrë 23 fitore, 13 barazime dhe 14 humbje. Kulmin e arriti në Botërorin e vitit 2002 duke e çuar Turqinë në vendin e tretë të kompeticionit më të rëndësishëm.

* Ndaj Shqipërisë, trajneri Gynesh nuk ka kujtime të mira. Ai ka luajtur 1 herë përballë ekipit kuqezi dhe ka humbur miqësoren 0-2. Në atë kohë Kombëtarja drejtohej nga i ndjeri Medin Zhega dhe golat u shënuan nga Alban Bushi dhe Ervin Skela.

* Kristian Panuçi do të drejtojë Shqipërinë për herë të 15- të, Shqipërinë kundër Turqisë. Deri tani bilanci është 4 fitore, 2 barazime dhe 8 humbje. Për t’u theksuar fakti që e ka mundur Turqinë në një miqësore me rezultatin 2-3.

* Emre Belezoglu është “gjyshi” i dy skuadrave. Mesfushori i njohur turk që ka mbajtur veshur edhe ngjyrat e Interit vite më parë, është rikthyer në kombëtare. Tashmë është 38- vjeç dhe kërkon të ndihmojë ekipin me eksperiencën e tij. Nuk është hera e parë që do të luajë kundër Shqipërisë. Ka luajtur 3 herë deri tani dhe ka 2 fitore dhe 1 humbje.

* Futbollistët e grumbulluar nga Panuçi për dy ndeshjet eliminatore ndaj Turqisë dhe Andorrës kanë shënuar 26 gola për Kombëtaren. I pari në listë është Armando Sadiku me 11 dhe pas tij renditet Balaj me 5 gola. Në total, 9 lojtarë kanë shënuar me fanellën kuqezi.

* Nga ana tjetër Turqia paraqitet në Shkodër me 59 gola dhe 10 futbollistë që kanë gjetur rrugën e rrjetës. Burak Jëllmaz është golashënuesi i momentit në kampin turk me 23 gola dhe ndiqet nga Çenk Tosun me 11.

* Eksperienca e futbollistëve me fanellat respektive është në favorin e Shqipërisë. Kjo do të thotë se nga lista e Panuçit vetëm 2 lojtarë janë debutues dhe nuk kanë luajtur asnjë minutë me kuqezinjtë, portieri Selmani dhe mesfushori Lorenc Trashi. Në kombëtaren turke janë 7 lojtarë debutues.

* Kjo do të jetë ndeshja e nëntë që Kombëtarja shqiptare luan në “Loro Boriçi”. Tetë të mëparshmet kanë dhuruar bilancin: 3 fitore, 2 barazime, 3 humbje.

* Në aspektin financiar, kombëtarja e Turqisë vlen 154 milionë euro (e llogaritur nga transfermarkt, ku ka edhe lojtarë që s’janë grumbulluar). Shqipëria vlen afro 70 milionë euro.

* Futbollisti më i shtrenjtë në merkato për të dyja skuadrat është Elseid Hysaj, kartoni i të cilit vlerësohet 23 milionë euro. Në këtë mënyrë, shkodrani thyen Hakan Çalhanoglunë e Milanit, i cili vlen 22 milionë euro./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb