Presidenti Donald Trump tha të enjten se Shtetet e Bashkuara po njohin sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan, territori sirian që Izraeli pushtoi në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967 dhe që e mban nën kontroll që nga ajo kohë.

Në një koment në Twitter, Presidenti tha se Lartësitë Golan “janë me rëndësi të madhe strategjike dhe sigurie për shtetin e Izraelit dhe Stabilitetin Rajonal!”

Deklarata e Presidentit Trump erdhi ndërkohë që Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ishte në Jeruzalem, duke u bërë zyrtari më i lartë i SHBA deri më sot që viziton Murin e kontestuar Perëndimor në qytetin e shenjtë të Jerusalemit në shoqërinë e një udhëheqësi izraelit, kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Vizita sinjalizonte ndoshta njohjen e heshtur nga SHBA të kontrollit izraelit mbi këtë objekt të shenjtë hebre, por ajo u pasua menjëherë nga njoftimi konkret i Presidentit Trump mbi Lartësitë Golan.

Kryeministri Netanjahu ka akuzuar Iranin se po përpiqet të ndërmarrë sulme kundër Izraelit nga Lartësitë Golan, duke thënë: “Për këtë dhe për shumë arsye të tjera, mendoj se është koha që bashkësia ndërkombëtare të njohë qëndrimin e Izraelit në Golan, dhe faktin që Golani do të mbetet përgjithmonë pjesë e shtetit të Izraelit”.

Udhëheqësi izraelit vlerësoi vendimin e Presidentit Trump menjëherë pas njoftimit të bërë prej tij.

“Presidenti Trump sapo ka bërë histori,” tha zoti Netanyahu pas një bisede telefonike me udhëheqësin e SHBA. “Mesazhi që Presidenti Trump i dha botës është se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Izraelit. Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e SHBA.”

Lartësitë Golan kapin rreth 1,800 kilometra katrorë dhe ndodhen në skajin verilindor të Izraelit përgjatë kufirit të tij me Sirinë. Dy të tretat kontrollohen nga Izraeli dhe pjesa tjetër ndodhet nën kontrollin e kontestuar sirian. Gjatë luftës civile tetëvjeçare në Siri ka patur shumë beteja për kontrollin e këtyre lartësive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb