E transformuar nga themelet, Puka tashmë është një destinacion i mirëfilltë turistik. Infrastruktura është në harmoni me elementet natyror që duket se vete Zoti nuk ja kursyer zonës veriore, vetëm 138 km larg kryeqytetit shqiptar, Tiranës.

Asnjë gjurmë e së shkuarës nuk ka mbetur në qytetin e famshëm për ajrin, mikpritjen dhe ushqimin organike. Transformimi i kryer nga investimet që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka bërë për llogari të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës për kualifikimin urban të sheshit para bashkisë, ish-hotel turizmit, pedonalen dhe hapësirat përreth, fasadat dhe çatitë e rikonstruktuara dhe projekte të tjera të zbatuara tashmë, kanë filluar t’i japin rezultatet e para. Qyteti ngjan tamam si një oaz mahnitës. Pejsazhi i gjelbërt, kaltërsia e liqenit, puhizat verore që sjellin këndshëm aromën e pishave dhe bredhave tashme po I japin Pukës një dimension të ri në fushën e turizmit.
Për ata që nuk kanë qenë kurrë, ose të tjerë që nuk e kanë shkelur Pukën prej vitesh, me siguri që do të mbeten pa fjalë prej qytetit alpin.
E teksa të rinjtë që vizitojnë këtë pjesë të veriut shqiptar janë të apasionuar pas ecjes në masive pyjore pa fund të Pukës, lundrimit në liqenin e Komanit dhe eksplorimit të Shpellave, të moshuarit që janë dhe vizitorët besnik të zonës, preferojnë qëndrimin nën kurorën e gjelbërt të qytetit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

E si për të vërtetuar këtë takojmë Ndue Lushi, ai ka ardhur nga Fushë Kruja, është rreth të 70, dhe bie në sy nga frymëmarrja e thellë që merr poshtë kurorës së gjelbër të liqenit. “Ka disa vite që vi në Pukë. Unë vuaj nga astma, mjekët më kanë rekomanduar Pukën si vend ku mund të kurohem në formë natyrore për problemin shëndetësor. Ky është viti I tretë që vi dhe ma besoni sa here vi këtu ndjehem shumë mirë. Ajrin e pastër dhe aromën e bredhave dhe pishave e ndjej deri në mushkëri. Pukë është një lloj terapie për jetën, nëse mund ta konsideroi kështu. Unë qëndroj rreth dy jave dhe jam bërë si i shtëpisë. Në mjediset e Hotel Turizmit ku akomodohem, çmimet janë të përballueshme për mua, ushqimi po ashtu, kushtet e hotelit standarde, vendasit janë mikpritës, të flasin, të përshëndesin, të ftojnë për kafe. Je tamam si në shtëpi” thotë i moshuari.
E teksa dëgjon Nduen që të shpjegon, kujtesa të lidh dhe me poetin e madh Millosh Gjergj Nikolla “MIGJENI”. Aso kohe ai pati zgjedhur Pukën pikërisht për të lehtësuar tuberkulozin që e kishte kapluar, ku dhe u frymëzua për veprat e mëdha që la pas, të përjetësuara tashme nga pukjanët me shtatoren e tij në qendër të qytetit, por dhe me shkollën muze ku ai dha mësim.
Por Puka nuk është vetëm kaq. Shpellat e famshme jo shumë larg qytetit, majat e maleve dhe shtigjet, hanet dhe ushqimi i mirë, Uji, janë arsye që të bëjnë të mendosh seriozisht për të kaluar ditë netët e Gushtit në qytetin verior.
Me një larmi biodiversiteti, zona pyjore përreth Pukës është e njohur edhe për kërpudhat dhe frutat e egra që, përveç turizmit, përbëjnë burimin më të mirë të të ardhurave për banorët.

Bimët e shumëllojshme medicinale dhe produktet e marketuara “Made in Puka” janë sinjalet e para që kjo zonë tipike e malësisë së Veriut është një potencial i fuqishëm për zhvillimin e produktit vendas dhe turizmit.
Mikpritja, karakteristikë e qytetit dhe ushqimi i mirë (flija, tava e dheut, mishi në prush, qumështi, bulmeti, mjalti kurativ, vezët e freskëta, kërpudhat e egra, frutat e thata dhe reçelrat), qetësia magjike dhe ajri i pastër, luginat e gjelbërimi që shkon deri ku të rrok syri e bëjnë Pukën një destinacion pothuaj të pabesueshëm për bukurinë e saj dhe kaq lehtësisht i arritshëm dhe me surpriza të bukura.
Emanueli dhe Enea janë dy prej disa guidave të Pukës, fal projektit “Bijtë e maleve”.

Emanueli punon kryesisht me turistë që dëshirojnë të lundrojnë drejt liqenit të Komanit, Lumit të Shalës, por dhe të apasionuarit pas malit siç është maja e Murgës dhe Shpalla e “Kaurrit”. Ai thotë se janë me qindra turistë që pret e përcjell kryesisht gjatë fundjavës. “Shqiptarët e Kosovës janë shumë të interesuar për majën e Murgës, ndërsa vendasit më shumë preferojnë Lundrimin në Ujrat e Liqenit të Komanit, Lumin e Shalës dhe vizitën në Shpellën e Kaurrit. Vjet dhe sivjet ka pasur dhe shumë të huaj. Përgjithësisht është më e lehtë të kapësh brigjet e liqenit të Komanit kur zgjedh te vizitosh Pukën, sepse zbres përmes Qelzes dhe shmang rrugën sfiduese nga Vau I Dejës deri në Koman” thotë i riu, teksa shprehet i kënaqur me atë çfarë bën, pasi ka zgjedhur të qëndroj në vendlindje dhe jo të emigroj si bashkëmoshataret e tij në këtë zonë.
Për Enean, shkëndijat e para janë të mira. Ai vetë ka markuar disa shtigje të reja në të cilat udhëheq të apasionuarit pas ecjes. “Puka ka favore sepse ndryshe nga zonat e tjera veriore të frekuentuara nga turistët këtu ecjet në këmbë janë të përshtatshme për të gjitha moshat, nuk ka rrezikshmëri dhe as vështirësi. Janë shtigje që kapen lehtësisht” shton Enea teksa ende nuk është aty ku ai pret sa i takon ardhjes se turistëve. “Të vish në Pukë, duhet të nisësh enkas nga Tirana ose Shkodra. Shmangia e Pukës nga rruga e Kombit i shkaktoj një dëm të madh zonës, por sigurisht lëvizje ka. Tashmë na takon ne që të thithim sa më shumë vizitorë, dhe sfida më e madhe është që të bëjmë të rikthehen ata që kanë ardhur një herë. Personalisht unë kam klient që janë rikthyer pasi Puka ju ka lënë mbresa. I duan shtigjet në kurorën e lartë të qytetit, ato në malin e Terbunit, Krrabit dhe Munellës, shtigjet përmes fshatit historik të Kabashit, ku mbijetojnë ende rrënojat e kishës shekullore të Shën Palit e njohur si ama e kishave të Ballkanit dhe plot variante që të mbushin ditën” thotë ai.
Për Enean, nxitja e turizmit ka pasur efekt dhe tek biznesi vendas. “Çdo turist që vjen në Pukë na kërkon ta orientojmë dhe tek qendrat e agro-turizmit, apo njësitë grumbulluese dhe ato të përpunimit të produkteve vendase. Është e pamundur që të mos blejnë çaj mali, kërpudhat Purçini të mbledhura nga bjeshkët e Pukës, Mjedrat e egra, Boronicat, Manaferrat, Dredhëzat, barishtoret e ndryshme nga bjeshkët, Mjaltin, apo lëngun e Thanës dhe Shegës, Birrën artizanale të zonës e dhjetëra produkte që ofron Puka” thotë Enea Laçi, I cili fton vendasit dhe të huajt që ta vizitojnë Pukën, pasi I presin surpriza.
E teksa Puka mund të konsiderohet tashme si një prej destinacioneve të turizmit Shqiptar, ajo çfarë mbetet domosdoshmëri është shtimi I njësive akomoduese, pasi do të krijonin mundësi dhe alternativa për vizitorët që kurrsesi nuk duhet nisur drejt Pukës pa prenotuar më parë, sepse kryesisht në fundjavë mund të detyrohesh dhe të kthehesh për shkak të kapaciteteve akomoduese të rezervuara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: