Nga: MIRON ÇAKO*
Në Shqipëri, nga regjimi më i egër dhe totalitar ateist komunist i Lindjes, më 4 prill 1967 u dha sinjali për persekutimin absolut të fesë. Me dekret të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, të datës 22 nëntor 1967, Shqipëria u shpall shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë dhe në historinë e njerëzimit, ku me Kushtetutë ndalohej çdo lloj shprehjeje fetare. Mbas këtij vendimi famëkeq dhe unikal, pasoi një shkatërrim vandal nga turma e indoktrinuar kundër objekteve të kultit me parullën e rinisë së gjimnazit të Durrësit: “T’i hapim luftë fesë me shpatën e mprehtë të ideologjisë së partisë kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive dhe zakoneve prapanike”.
Objekti i parë i kultit që u shkatërrua ishte manastiri i hirshëm orthodhoks i Shën Vlashit në Durrës. Më pas, qindra kisha orthodhokse u shkatërruan nga themelet, shumë prej tyre u shndërruan në depo, stalla, kinema, vatra kulture. Thuajse të gjitha manastiret u shkatërruan ose u përdorën për reparte ushtarake dhe funksione të tjera. Në atë kohë Kisha kishte 19 zëvendësi arkihieratike, 330 enori dhe 25 manastire. Pasuritë kishtare të tundshme dhe të patundshme u konfiskuan. Po ashtu enë të shenjta për përdorim liturgjik, ikona, lipsane, arkiva etj., u konfiskuan ose u shkatërruan. E gjitha kjo masakër, ishte një shkatërrim i historisë, artit, kulturës shekullore jo vetëm kishtare, por edhe kombëtare. Kjo masakër shkatërrimtare u shoqërua edhe me persekutimin e klerit, zhveshjen e tyre si klerikë, ndalimin për të mos kryer shërbesat fetare, internime, burgosje dhe vrasje. Në vitet ‘70-‘80 konsiderohej se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë ishte e shpërbërë përfundimisht dhe pa asnjë shpresë ringjalljeje, dhe kjo mund të thuhej për çdo komunitet tjetër fetar. Regjimi i Hoxhës ia kaloi edhe atij të Stalinit, i cili vërtet persekutoi Kishën në Rusi, por asnjëherë nuk e bëri këtë ligj me Kushtetutë dhe nuk shkatërroi gjithçka, siç u bë në Shqipëri. Madje edhe Mao Ce Duni u frymëzua nga këto veprime, sa edhe në Kinë filluan të shkatërrohen kishat dhe të ndalohet adhurimi i krishterë.
Në qoftë se nuk do të kishte ndërhyrë providenca hyjnore me të ndjerin theologun orthodhoks Theofan Popa, çdo gjë fetare rrezikohej të zhdukej. Thuhet se ai ndërhyri me guxim te diktatori Hoxha duke i thënë se turma e popullit po shkatërron historinë, artin, kulturën shekullore të vendit. Kjo gjë është një dëm kombëtar, që do humbasë edhe interesi turistik për vendin e rindërtuar në kohën e realizmit socialist. Hoxha e pranoi propozimin e tij, dhe kështu me urdhër të tij, u ndalua rreptësisht prishja e objekteve të kultit dhe çdo vlere artistike dhe kulturore fetare të mbetur. Instituti i Monumenteve të Kulturës i krijuar në 1965, bëri grumbullimin, inventarizimin dhe ekspozimin e këtij arti kishtar me vlera të larta artistike dhe historike jo në vetëm në vend, por edhe jashtë.
Mbas viteve 1991, kur regjimi ateist komunist u rrëzua nga revolta popullore e ndërgjegjësuar tashmë, si në çdo aspekt të ringjalljes së vendit, u bë e nevojshme edhe ringjallja e besimit në Zot dhe e Kishës Orthodhokse së bashku me të gjithë komunitetet e tjera fetare. Kjo ringjallje tashmë është një fakt i pakundërshtueshëm. Kisha sot është një kontributor shumë i rëndësishëm i promovimit të vlerave historiko-kulturore të vendit dhe harmonisë fetare si e vetmja vlerë, që mund të mburremi në botë.
Por akoma Kisha Orthodhokse edhe pas 25 vjetësh demokraci ndihet jo tërësisht e çliruar nga padrejtësitë, shkatërrimet, konfiskimet, sakrilegjet, që u bënë në atë periudhë të errët komuniste. Madje, ndihet akoma e atakuar, e vjedhur, e fyer. Akoma nuk i janë kthyer pasuritë e ligjshme, si kisha, manastire, prona, lipsane shenjtorësh, ikona, objekte të shenjta, të cilat mbahen arbitrarisht nga shteti nëpërmjet Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili për hir të së vërtetës, nuk është aq rigoroz sa në kohën e ateizmit komunist në përkujdesje, inventarizim dhe ruajtje të kësaj pasurie kishtare, e cila po humbet dhe po shpërdorohet gjithnjë e më shumë.
Kisha Orthodhokse që në vitin 2009 si person juridik ka bërë një marrëveshje me shtetin shqiptar, nëpërmjet Këshillit të Ministrave për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella me nr. 10057, dt. 22.01.2009.
Kreu 5, çështjet e pronësisë, neni 22 thotë:
1. Shteti i njeh Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të drejtën e pronës mbi sendet, të luajtshme dhe të paluajtshme.
2. Shteti do t’i kthejë dhe kompensojë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të gjitha pronat, me përparësi objektet e kultit, tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj, qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit orthodhoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit, manastiret e shenjta, pasuritë, arkivat e saj, të konfiskuara nga regjimi komunist në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 23 – Mbrojtja e trashëgimisë kulturore fetare
1. Objektet e kultit që kanë statusin e monumentit të kulturës t’i kthehen në pronësi Kishës Orthodhose Autoqefale të Shqipërisë dhe do të mbrohen dhe trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore.
Fatkeqësisht, as qeveria që shkoi, e cila u tregua e paaftë për të menaxhuar si duhet censusin e vitit 2011, duke i bërë një padrejtësi të pashembullt komunitetit orthodhoks në Shqipëri, ku i llogariti ata nga 22% në vetëm 6.75%, por edhe qeveria e Rilindjes, që shumë të krishterë e votuan, duke pasur besim te një rilindje e shtetit ligjor dhe në respektimin e çdo marrëveshjeje të ratifikuar, nuk zbatuan marrëveshjen, përkundrazi për një periudhë gati trevjeçare të kësaj qeverie janë bërë disa veprime që na kthejnë shumë kohë prapa, duke na kujtuar periudhën e kaluar ateiste.
Këtu e kam fjalën për ndërhyrjen brutale të autoriteteve vendore ndaj klerikëve dhe besimtarëve të Kishës së Shën Marisë në Përmet në gusht 2013 me pretekstin se do të rindërtohet Shtëpia e Kulturës. Edhe pse Kisha vuri në dispozicion dokumentet arkivore, që në atë vend kishte qenë një kishë e tjetërsuar nga regjimi ateist në Shtëpi Kulture dhe sipas ligjit të kthimit të pronave i takonte asaj. Kisha u bastis dhe duke kryer sakrilegje ndaj objekteve të shenjta, potirit, ungjillit, ikonave, të cilat u transportuan me makinën e plehrave të Bashkisë së Përmetit. Edhe sot e kësaj dite ai vend është një gërmadhë dhe një plagë e hapur për të krishterët, jo vetëm të Përmetit. E njëjta sjellje u përsërit në prishjen e kishës së Shën Athanasit në 26 gusht 2015, ora 4:00 e mëngjesit, kishë e rindërtuar mbi themelet e të vjetrës me kontributin e besimtarëve të fshatit Dhërmi. Kisha u prish nga INUK-u me pretekstin e një ndërtimi pa leje, edhe pse ishte ndërtuar që në vitin 1994 dhe kthimin e këtij objekti në identitet, si një muze i një mësonjëtoreje ku aty kishin mësuar shqip vendasit me traditë orthodhokse, një prift jezuit i ritit romano-katolik. Në këtë rast, pa precedent gjatë këtyre 25 vjetëve, shteti tejkalon çdo kompetencë në lidhje me pavarësinë që gëzojnë komunitetet fetare dhe mospërfshirjen e shtetit në këto çështje, madje duke nxitur dhe ndasi në mes komuniteteve fetare, atij orthodhoks dhe katolik, që janë shumë të mira në vend.
Akoma diçka tjetër, kisha e Shën Marisë e Kalasë së Elbasanit mbahet e uzurpuar nga pseudoprifti Nikolla Marku, i vetëshpallur prift i Kishës Ortodokse Kombëtare, që e ka kthyer kishën si një kioskë private. Ai në mënyrë të papërgjegjshme ka lyer me gëlqere afresket e vjetra të kishës dhe ka zhdukur ikonat e vjetra të ikonostasit, duke i zëvendësuar me ato prej letre. Pavarësisht se Kisha Orthodhokse ka fituar çdo nivel gjyqësor për rikthimin e objektit në oborrin e kësaj kishe, Zyra e Përmbarimit nuk ekzekuton vendimin gjyqësor për rikthimit e kësaj prone të zaptuar, pronarit të ligjshëm Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Shumë prona dhe troje nuk janë kthyer ende, pavarësisht se Kisha ka hapur procese gjyqësore, madje nën dijeninë e shtetit janë lejuar ndërtime dhe bërë legalizime në këto prona. Mund të themi se nga të gjitha pronat e Kishës janë trajtuar vetëm 10% e kërkesave të saj. Duhet të dimë se këto prona me karakter historik dhe shpirtëror, si dhurata të njerëzve, familje besimtare, ose varreza, janë të shenjta (vakëfe) dhe i takojnë Kishës.
Le të përmendim një rast tjetër të këtij arbitrariteti me arrestimin e koleksionistit Gjergji Thimo, që sot është në arrest si kontrabandist për shumë objekte kishtare dhe sidomos ikona. Ai deklaron në TV “NEËS 24”, në dt. 18.2.2016, se nga 1170 ikona që kishte ai në koleksionin e tij, në procesverbalin pas konfiskimit nga autoritetet shtetërore figuronin vetëm 174 ikona. Ai akuzon për vjedhjen e këtyre objekteve njerëz me autoritet shtetëror, dhe kjo mbetet për t’u verifikuar nga organet kompetente. Por ajo që na shqetëson ne si besimtarë, është se kur u bë konfiskimi i këtij koleksioni, nuk u ftua Kisha Orthodhokse për të qenë prezente në inventarizim, pasi pa kundërshtim ato ikona janë pjesë e pasurisë së saj. Madje ato u transportuan nga Galeria e Arteve te Muzeu Kombëtar për arsye mirëmbajteje dhe kushte më të mira, por duke i transportuar ato me furgon policie, jashtë çdo kriteri që meritojnë këto objekte kulti me vlera shpirtërore dhe artistike.
Le të kujtojmë këtu dhe rigjetjen e lipsaneve të Shën Joan Vladimirit, të cilat ishin të harruara në bodrumet e Muzeut Historik. Këto lipsane kanë qenë dhe janë pronë e Kishës Orthodhokse, prej gati 1000 vjetësh, dhe janë nderuar prej shekujsh nga besimtarët orthodhoksë me shumë devocion në manastirin e Shën Gjonit, në fshatin Shijon Elbasan, derisa u konfiskuan nga regjimi ateist-komunist duke u bërë pronë e shtetit komunist.
Edhe sot në demokraci, përsëri kemi deklarata të tilla, nga drejtori i Muzeut Kombëtar z.Melsi Labi, që thotë: “S’ndajmë mendimin që reliket t’i kalojnë Kishës, pasi ato janë tashmë pasuri kombëtare dhe u takojnë të gjithëve, muslimanëve e të krishterëve…mendoj se të gjithë duhet të bëjmë punën si profesionistë, sa më mirë dhe me dashuri për kombin, dhe kështu çdo gjë do të shkojë në drejtimin e duhur, duke ecur sa më shpejt drejt Europës dhe mentalitetit të saj” (Mapo.al, dt.1.03.2016). Nuk e di ku e gjen këtë logjikë drejtori i muzeut, që një objekt, pasuri të dikujt tjetër ta përvetësojë padrejtësisht, dhe këtë madje e quan mentalitet europian!
Por ngjarja e fundit e realizimit të disa seteve fotografike dhe filmimeve të modeleve me fustane nusërie nga salloni i bukurisë “Frida”, duke përdorur si pasarelë ambientet e Kishës së Shën Marisë në lagjen “Kala”, Elbasan dhe në Berat në Kishën e Shën Marisë ose Muzeu i Onufrit, patjetër me lejen e autoriteteve përgjegjëse dhe në Elbasan të pseudopriftit Nikolla Marku, i kalon të gjitha caqet. Përsëri nuk zbatohet marrëveshja, ku në nenin 23, pika 2 thuhet: “Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”.
Jo vetëm nuk është marrë leje, por Kisha dhe besimtarët ndihen të fyer, deri në kufijtë e sakrilegjit, sepse veshja e modeleve nuk i përshtatet etikës së krishterë dhe pozimi i tyre provokues në disa vende të shenjta të ambientit të Kishës, si froni dhespotik, përpara derës së bukur, ku kanë të drejtë të rrinë vetëm klerikët dhe ata të veshur me stolitë liturgjike, përbën për ne të krishterët një sakrilegj të dukshëm dhe fyerje të ndjenjës fetare, dhe këto nuk promovojnë trashëgiminë kulturore të vendit. Kisha nuk etiketon asnjë personalisht, por gjestin përdhosës brenda ambientit adhurues, që për hir të së vërtetës nuk ka ndodhur në asnjë komunitet tjetër fetar. Ky veprim përdhosës ua kaloi edhe atyre veprimeve të ligësisë ateiste, të cilët futën brenda kishave armë dhe çdo gjë tjetër komprometuesi për të përligjur dhunën dhe përndjekjen ndaj klerit dhe më vonë mohimin e besimit në Zot, por që nuk guxuan kurrë të fusin në kishë femra të veshura në atë mënyrë dhe me poza të tilla, që një gazetar i mirënjohur në shkrimin e tij për këtë situatë të pazakontë e ka titulluar: “Me shit seks në Kishë”.
Për këto veprime që përbëjnë një sakrilegj të dukshëm si në prishjen e kishave, moskthimit të pronave dhe mosrespektimit të marrëveshjes, Kisha Orthodhokse reagoi ndaj autoriteteve përgjegjëse shtetërore me kërkesën për kthimin e kishave, manastireve dhe objekteve të shenjta, duke kërkuar t’i kthehen Kishës Orthodhokse pa vonesë dhe pretekste të gjitha kishat e shenjta, manastiret, lipsanet e shenjta, ikonat dhe objektet e shenjta të adhurimit, të cilat respektohen, nderohen dhe janë të shenjta për të gjithë orthodhoksët anembanë botës dhe për besimtarët e Shqipërisë (asambleja kleriko-laike e datës 12 mars 2016).
Mbas kësaj kërkese, drejtoresha e përgjithshme e trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, znj. Zhulieta Harasani shprehet në një intervistë për TV “Top Channel”: “Kisha ka të gjithë të drejtën të kërkojë pronat e saj”, por ajo shton se, “si gjithë individët apo subjektet e tjera, duhet t’i drejtohen Agjencisë së Kompensimit të Pronave me dokumentet përkatëse” (dt.18 mars 2016). Kjo deklaratë tregon që drejtoresha nuk është në dijeni të marrëveshjes, ose kjo është një përpjekje e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe qeverisë për ta shmangur marrëveshjen ndërmjet Shtetit dhe Kishës. Nuk është nevoja që Kisha t’i drejtohet Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por shteti duhet të zbatojë marrëveshjen duke urdhëruar këtë agjenci që t’i kthejë objektet e kultit që i takojnë Kishës dhe janë për adhurim dhe pjesë e pasurisë së saj shpirtërore dhe kulturore.
Vetë Kisha Orthodhokse, përveç ndërtimit të shumë kishave të reja që numërohen mbi 150 dhe të riparuara mbi 160 të tilla e që janë në shërbim të komunitetit ku ai ndodhet, ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm prej gati 11 milionë eurosh për restaurimin e 60 kishave dhe manastireve që janë monumente kulture dhe njëkohësisht përgjegjësi edhe e shtetit shqiptar, si për çdo objekt që ka këtë status të veçantë. Po ashtu, restaurimin e 600 ikonave të cilat përbëjnë një vlerë jo vetëm kishtare, por edhe kulturore kombëtare. Duhet theksuar këtu edhe fakti paradoksal që në ndërtimin e çdo kishe të re si dhe në restaurimin e atyre që janë njëkohësisht edhe monumente kulture, Kisha Orthodhokse ka qenë e detyruar të paguajë edhe taksën (TVSH 20%). Ky fakt e vështirëson gjetjen e fondeve dhe gatishmërinë e donatorëve të ndryshëm për të ndihmuar në këtë mision kaq delikat dhe urgjent në të cilën gjenden një pjesë e mirë e objekteve në fjalë. Kisha nuk kërkon që këto prona, objekte kulti dhe adhuruese, të jenë thjesht pasuri e saj, por së bashku me autoritetet përgjegjëse shtetërore, të gjejë mënyrën më të mirë të mundshme që këto të jenë në shërbim dhe për nevojat e Kishës dhe besimtarëve, por edhe si vlera të shtuara të historisë dhe kulturës së vendit tone, me anë të cilave mund të krenohemi dhe të kontribuojmë në qytetërimin e rajonit dhe të botës.
Ky reagim dhe kërkesë e Kishës Orthodhokse dhe e popullit besimtar nuk është “një çudi që do të zgjatë vetëm tri ditë”, por do të vazhdojë të mbetet përherë i nxehtë derisa ky problem të zgjidhet sipas marrëveshjes. Urojmë që e gjitha kjo të jetë një neglizhencë e qeverisë për shkak të angazhimeve dhe sfidave të shumta me të cilat ajo përballet, dhe jo një reminishencë e së kaluarës ateiste, gjë që na nxit të lutemi si Kishë dhe besimtarë orthodhoksë: Deri kur, o Zot?!
* Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, KOASH
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)