Nga: MONIKA SHOSHORI STAFA
Historiografi a shqiptare deri më sot vazhdon të lërë pa trajtuar shumë momente dhe ngjarje të rëndësishme, të cilat ende vuajnë mosndëshkimin në kujtesën e popullit shqiptar. Jo pa shkak politik në të shumtën e rasteve ato gjer më sot nuk kanë njohur ende akuzat për gjenocid dhe krime ndaj njerëzimit. Ndryshimet politike që ndodhën në shkallë globale në Shqipëri gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar bënë që mes tryezave të studiuesve të hidhen teza se tradicionalisht Shqipëria zyrtare, qysh pas krijimit të saj si shtet në vitin 1912, “është ndjerë e vetëmjaftueshme” dhe për rrjedhim gjithçka që ka bërë për vëllezërit e saj jashtë kufijve ka pasur thjesht karakter demagogjik. Përpjekja për të zbuluar një traditë edhe më të hershme për këtë prirje krijoi paralelizmin e “Kosovës–Doruntinë”, që vëllezërit e vetëflijuan në lande të huaj, thjesht për të forcuar pozitën e vet. Më të zellshmit në këtë udhë kanë shkuar deri tek pohimi se Shqipërisë i ka interesuar më shumë “një kufi me vetveten”, se kufiri etnik; pëlqim që shpjegon heshtjen, mënjanësinë dhe (mos) interesimin për Kosovën.
Në një pamje të parë, duket se shumë zhvillime kanë qenë të mbara dhe se gadishulli ynë i madh gjithëherët problematik është sot më i çliruar se kurrë nga urrejtja ndëretnike. Tani duket se ka mbetur rruga për të ecur para drejt hyrjes në familjen e përbashkët kontinentale. Por, koha pas një konflikti të përgjithshëm si ai në Ballkan, ka shënjimin e vet të veçantë dhe ende të pashërueshëm për shkak të mosndëshkimit. Sepse koha postkrim qëndron ende aty. Dhe derisa ai të mos marrë gjykimin e duhur, do të jetë “barut i ndezur” në qendër të gjithçkaje. Kjo, jo për t’iu kthyer sërish dënimeve nga e para, por për t’i dhënë dinjitetin e humbur çdo viktime e që të tilla masakra të mos përsëriten më. Sot pas më shumë se 15 vitesh vazhdon heshtja pikërisht nga ata, shumica e të cilëve vunë firmën e tyre në deklaratën e pavarësisë së saj në shkurt të 2008. Ata të cilët duhet ta ngrinin zërin të parët si akademikë, politikanë, kronistë dhe politologë, ata që sot qeverisin Kosovën dhe bëjnë analizat politike të saj. Koha shkonte me vrullin e saj të ngjarjeve që rridhnin një pas një, ndërsa zëri i Kosovës vononte të dëshmonte për krimet ndaj saj. Vonon edhe tani.
Përdhunimet
Gjenocidi më i fundit i serbëve në Kosovë u realizua mbi bazën e një plani të mirëpërcaktuar nga Beogradi. Dhunimi i grave, nënave, nuseve të reja ishte forma më tronditëse që do të prekte krenarinë shqiptare. Përdhunimet, të cilat u kryen gjatë luftës në Kosovë nga forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe ndaj grave ishin vepra që kishin karakter poshtërues, politik dhe hakmarrës. Por, thelbi kryesor ka qenë thyerja dhe poshtërimi i shqiptarit në aspektin moral ndaj një gjinie që rriste jetën e re. Lufta e Kosovës mbaroi dhe studimi për t’u përcaktuar saktë kjo tragjedi, që shënoi një datë të re në analet e historisë ende mungon. Sa është bërë deri tani për të nisur një proces të thellë kërkimi shkencor? Mund të themi se shumë pak ose asgjë. Vetëm janë publikuar disa rrëfime të ndryshme, natyrisht pa të dhëna konkrete të rasteve, por marrë në përgjithësi të gjitha këto hulumtime janë bërë nga organizata dhe shoqata të huaja e po ashtu edhe nga organizata vendëse. Qytetet e Gjakovës, Pejës dhe Drenicës janë vendet ku dhunimet e grave e të vajzave kanë qenë më të shumta. Sipas disa prej të dhunuarave, ushtarët serbë merrnin grupe vajzash dhe i përdhunonin me orë e deri me ditë të tëra. Por, edhe shumë herë viktimat pasi dhunoheshin sistematikisht, vriteshin në fund që të mos dëshmonin. Gjithashtu, një karakteristikë tjetër e kësaj forme ka qenë edhe ajo se dhunimi kryhej në forma nga më të ndryshmet e në mënyrë masovike. Një të tillë ngjarje kemi mundur ta dëgjojmë nga një grua, e cila tregonte “se kur vëllanë tim 12-vjeçar filloi ta rrahë policia, unë u mundova ta ndihmoj. Ishte një vëlla pas nëntë motrave, por ndodhi më e keqja. Ata më morën mua dhe më çnderuan në prani të babait, nënës, motrave e burrit tim. Këtë e shihnin e gjithë kolona, por edhe familjarët e mi”, thotë gruaja e dhunuar. Nisur nga shumë dëshmi të njohura dhe të panjohura duket se përdhunimet janë bërë edhe në prezencën e të afërmve të të viktimave. Ato madje janë kryer në të gjitha shtresat e vajzave e grave shqiptare. Disa raporte të organizatave ndërkombëtare e kanë përshkruar dhunën e kryer kundër shqiptareve të Kosovës gjatë konfliktit në vitet 1998-1999 si krime kundër njerëzimit, pavarësisht se ende nuk janë ngritur akuza të tilla në rrugë zyrtare për në Tribunalin e Hagës. Policia serbe, grupet paramilitare dhe ushtarët nuk kanë kursyer nënat, fëmijët apo gratë shtatzëna nga sulmet fizike dhe seksuale. Sipas hulumtimit paraprak, rreth një e treta e grave në Kosovë kanë përjetuar dhunë fizike kur janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Në zonat e izoluara nga forcat serbe, siç janë Drenica apo dhe Deçani, grave u janë hequr furnizimet sanitare dhe kujdesi mjekësor, gjë e cila ka ndikuar në veçanti tek gratë shtatzëna. Një grua e intervistuar për një projekt ndërkombëtar kishte lindur binjakë teksa po fshihej në male gjatë luftës. Një grua tjetër refugjate tregonte se ushtarët “u kanë prerë stomakun shumë grave shtatzëna dhe u kanë therë embrionin me thika”. Forcat serbe kanë lënë shtatzëna gra me dhunë, si pjesë e fushatës së tyre të spastrimit etnik. Burime të ndryshme kanë vlerësuar se rreth 45 mijë gra janë dhunuar gjatë luftës. Mund të themi se në pranverën e fundit të shekullit të kaluar, fati kish ruajtur për vajzat dhe gratë e Kosovës, një martirizim të pashembullt, si ato që pak historianë të huaj i kanë përshkruar në ditarët e tyre të udhëtimit nëpër Ballkan gjatë shekujve të Perandorisë Osmane. Sipas një operacioni të projektuar ushtarakisht, forcat serbe i kishin në shënjestër gratë shqiptare, shumica prej tyre ishin nën moshën 25-vjeçare. Grupe prej pesë deri në tridhjetë gra janë transportuar me kamionë në lokacione të panjohura apo shtëpi të banuara nga ushtarët serbë, ku ato “dhunoheshin individualisht nga shumë burra, gjatë disa orëve, e ndonjëherë edhe me ditë të tëra”. Dhunimet brutale kishin të bënin me prerjen e fytyrave të grave, të gjinjve dhe gjenitaleve dhe përdorimin e barnave që ndikonin në memorien e grave apo shkaktonin vdekjen e tyre. Para largimit nga Kosova në qershor të vitit 1999, pas bombardimeve dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, forcat ushtarake, policore dhe ato paramilitare serbe, përveç se lanë pas mbi 10 mijë të vrarë e shkatërrime masive, lanë pas një plagë të hapur ende, me rreth 20 mijë femra të çnjerëzuara. Ndërsa gjymtimi i kujtesës sonë kombëtare ende vazhdon.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: