NGA AURORA KOROMANI*

Pasojat e operacionit të Lazaratit ndihen akoma, sidomos në tregun e shitje-blerjes së lëndëve narkotike. Kur ka kaluar
afro një vit nga operacioni policor për asgjësimin e lëndëve narkotike në fshatin e Lazaratit, i cili deri vjet ishte cilësuar si i paprekshëm, në tregun e shitjes së drogës janë shënuar rritje të çmimeve.

Një specialist i sektorit të antidrogës në polici i shpjegoi “Gazetës Shqiptare” se si kanë ndryshuar çmimet e shitjes së drogës në tregun me pakicë, por edhe në atë me shumicë. Sipas specialistit, një vit më parë një qese me hashash kushtonte rreth 500 lekë të reja, këtë vit e njëjta sasi kushton sa trefishi i çmimit të vitit të shkuar dhe konkretisht
një qese me hashash sot e gjen për afro 1500 lekë të reja.

Por, ndryshime ka pësuar edhe tregu i shitjes së lëndës narkotike me shumicë, ku droga sigurohet në Shqipëri dhe shitet jashtë. Specialisti i policisë shpjegon se nëse një vit më parë një kilogram cannabis sattiva shkonte 300 ose 400 euro, këtë vit çmimi është rritur pothuajse 6-fish.

Kështu sipas ekspertit të sektorit të antidrogës, pas operacionit të Lazaratit, një kilogram hashash shkon 2400-2600 euro. Madje, specialisti shpjegon se nëse më parë cilësia e drogës ka qenë shumë e mirë, këtë vit po shitet droga
që ka mbetur, e cila është e një cilësie shumë të dobët. Por, eksperti shpjegon se çmimi është rritur për shkak se oferta në treg ka qenë shumë e vogël, ndërsa kërkesa ka qenë shumë e madhe.
DROGAT E TJERA
Eksperti i antidrogës shpjegon për “Gazeta Shqiptare” se çmimi i llojeve të drogave të tjera ka mbetur i njëjtë me atë të një viti më parë, edhe pse çmimi i hashashit ka pësuar rritje. “Çmimi i heroinës nuk ka ndryshuar, pasi edhe më parë, edhe sot shitet me të njëjtin çmim. Kështu, 1 gram heroinë vazhdon të shitet me 25 euro në tregun e pakicës, ndërsa një kilogram heroinë shitet 18 mijë euro”, shpjegon specialisti i antidrogës.
Ai shton se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me kokainën, e cila vazhdon të shitet me të njëjtin çmim, dhe vazhdon të jetë
një nga drogat më të shtrenjta. Sipas specialistit, në tregun e pakicës 1 gram kokainë shitet me 100 euro, ndërsa me shumicë një kilogram kokainë shitet me afro 42 ose 43 mijë euro.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb