NGA SHABAN MURATI

Është vërtet me interes të kërkohen arsyet dhe shkaqet se përse qeveria aktuale greke po shfaqet tepër e interesuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Shqipëri. Çështja e zgjedhjeve të rregullta apo të parakohshme në një shtet tjetër është temë ekskluzivisht e brendshme e atij shteti, dhe si rregull diplomacitë dhe qeveritë e tjera duhet të tregohen tepër të kujdesshme në prononcimin e pëlqimeve dhe interesave të tyre për zhvillimet e brendshme të shtetit tjetër. Por, nuk ndodhi kjo me ministrin e Jashtëm grek, Nicos Kotzias, i cili në një intervistë për radion greke “Alfa”, të botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme greke, shprehu interesin e qeverisë së tij për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Shqipëri. Ministri i Jashtëm grek deklaroi se “zgjedhjet në Shqipëri mund të mbahen më herët, në janar ose në shkurt”. Që në pamjen e parë tingëllon aspak diplomatike, që ministri i Jashtëm i një shteti fqinj shpreh preferencën e qeverisë së tij për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Shqipëri.

Madje, ai shkon deri atje sa që cakton edhe kohën, se kur do të mbahen këto zgjedhje të parakohshme, gjë që nuk është tagër e një ministri të Jashtëm të huaj të caktojë datën e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme të një shteti tjetër. Por përtej profecisë, këtu kemi etjen apo ngutjen e qeverisë, që përfaqëson ministri i Jashtëm grek, për të parë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Shqipëri. Përveç shkeljes së etikës diplomatike dhe të vetëpërmbajtjes shtetërore aq të nevojshme për një drejtues diplomacie, nuk mund të mos konstatosh edhe një dëshirë politike dhe strategjike të shefit të diplomacisë greke për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Shqipëri. Për t’i dhënë kredibilitet tezës apo profecisë së tij për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vendin tonë, Kotzias i bëri këto deklarata të pazakonta pas vizitës së tij zyrtare në Shqipëri në javën e parë të muajit qershor.

Askush nuk mund të besojë se ministri i Jashtëm shqiptar, kryeministri shqiptar apo presidenti i shqiptar, i kanë folur ministrit të Jashtëm grek për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Shqipëri gjatë takimeve që ai zhvilloi me personalitetet e mësipërme në vizitën e tij në Tiranë. Aq më e pamundshme është që ata mund të kenë autorizuar ministrin e Jashtëm grek që të njoftojë i pari, madje të njoftojë përpara institucioneve zyrtare kushtetuese të Shqipërisë, si popullin shqiptar, i cili do t’i zhvillojë ato zgjedhje, ashtu edhe opinionin publik ndërkombëtar. Lajmërimi i ministrit të Jashtëm grek për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe përcaktimi i datës së tyre për në muajin janar apo shkurt nuk mund të vijë nga kanale qeveritare shqiptare.

Nuk vjen dhe nuk mund të vijë prej tyre, sepse qeveria aktuale e Shqipërisë dhe mazhoranca qeverisëse as nuk janë të interesuar dhe as kanë arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare, kur zgjedhjet e rregullta nuk duan më shumë se njëmbëdhjetë muaj. Çdo ide apo përpjekje për zgjedhje të parakohshme parlamentare jo vetëm nuk vjen nga qarqet qeveritare, por vjen nga qarqe politike në Shqipëri dhe jashtë saj, të cilat janë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Shqipëri i ka kërkuar dhe i kërkon opozita, me në krye Partinë Demokratike. Ne nuk kemi informacion, nëse kryetari i PD, Lulzim Basha, në takimin e tij me ministrin e Jashtëm grek në Tiranë, i ka folur apo i ka dhënë siguri për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri. Për rastësi ose jo, ka një rezonancë interesi të qeverisë greke me opozitën shqiptare për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri. Çelësi i shpjegimit të interesit të ministrit të Jashtëm grek dhe të qeverisë greke për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Shqipëri duhet kërkuar në qëndrimin negativ të qeverisë aktuale greke ndaj politikës së jashtme të qeverisë socialiste të Shqipërisë dhe më konkretisht ndaj platformës së re të marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë, të ndjekur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Ministri i Jashtëm grek dhe qeveria aktuale i shpresojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare si një goditje ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, si një mundësi për ta rrëzuar apo për ta dobësuar atë. Nuk është sekret se vizita e ministrit të Jashtëm grek në Tirane ishte një dështim diplomatik dhe pakënaqësinë e tij të thellë, Kotzias e manifestoi menjëherë pas kthimit në Athinë, me ndërhyrjet e reja flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë, duke pretenduar ekskluzivitetin e Greqisë në çështjet e pronave të Kishës Ortodokse të Shqipërisë dhe proteksionin e Greqisë mbi ortodoksët shqiptarë. Madje, ai bëri një hap të pazakontë ndërhyrjeje, që nuk e ka bërë asnjë ministër i Jashtëm grek përpara tij, duke ndërmarrë edhe një diversion në drejtim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Marrëdhëniet shqiptaro-greke, gjatë kohës që Kotzias drejton diplomacinë greke nuk kanë parë ndonjë përpjekje apo vullnet politik grek për zgjidhjen e probleme të pazgjidhura midis dy vendeve. Kotzias nuk e ndryshoi, por e thelloi sjelljen dhe konceptin asimetrik, që diplomacia greke ka për marrëdhëniet me Shqipërinë. Në këtë optikë asimetrike, Athina ka plot arsye të jetë e pakënaqur nga politika e jashtme e qeverisë socialiste të Tiranës.

Kryeministri Edi Rama, qysh kur erdhi në postin e tij, është përpjekur që t’i shpjegojë Athinës nevojën për të kuptuar që marrëdhëniet midis dy shteteve fqinje, anëtare të NATOs, janë reciprokisht të rëndësishme për të dy vendet dhe duhet të ndërtohen mbi baza barazie dhe respekti reciprok të interesave. Këtë impostim të ri realist të marrëdhënieve midis dy shteteve e ka pasur dhe e ka të vështirë ta pranojë diplomacia dhe qeveria aktuale e Athinës. E mësuar me traditën e vjetër të lëshimeve të qeverive të mëparshme shqiptare ndaj kërkesave të Athinës, diplomacia greke është e pakënaqur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, sepse nuk po i trajton ashtu siç i intereson Greqisë problemet e hapura midis dy vendeve. Së pari, është çështja e marrëveshjes së pavlefshme të detit, të nënshkruar nga qeveria e kryeministrit Sali Berisha me qeverinë greke në vitin 2009 dhe të hedhur poshtë si antikushtetuese dhe të shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vitin 2010.

Presioni i diplomacisë greke nuk ka arritur të detyrojë qeverinë e kryeministrit Rama të bëjë lëshime dhe të ripranojë atë marrëveshje të vdekur të detit. Së dyti, është çështja çame, ku qeveria e kryeministrit Edi Rama është qeveria e parë në 25 vite të periudhës postkomuniste të Shqipërisë, që e përfshin atë në programin e saj qeveritar dhe që i ka bërë të qartë Athinës se çështja çame duhet futur në axhendën e bisedimeve diplomatike midis dy vendeve. Së treti, është çështja e ligjit absurd të luftës të vitit 1940, të cilin edhe qeveria e Ciprasit dhe e Kotzias, njësoj si paraardhëset e saj, vazhdon ta mbajë në fuqi. Qeveria aktuale shqiptare ka këmbëngulur që ai ligj antihistorik të abrogohet dhe pa këtë akt nuk mund të avancohet në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Së katërti, është qëndrimi ndaj minoritetit grek, ku qeveria e kryeministrit Edi Rama ka refuzuar të pranojë përdorimin e tij si instrument presioni dhe kontrolli të qeverisë greke mbi qeverinë e Shqipërisë. Kryeministri Rama është i pari kryetar qeverie i periudhës postkomuniste, që nuk përfshiu një ministër grek në qeverinë e tij, praktikë që ka qenë një detyrim i pashkruar nga Athina për Tiranën. Përvoja trevjeçare në pushtet e kryeministrit Edi Rama ka krijuar në Athinë bindjen se Tirana nuk do të ndryshojë sipas kërkesave dhe interesave greke qëndrimet e saj në çështjet dypalëshe. Në këto rrethana, qeveria dhe diplomacia aktuale greke shpreson në metodën e vjetër gjeopolitike të një “regime change” në Shqipëri nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Duke synuar në ndryshimin e qeverisë aktuale të Shqipërisë, Athina shpreson që të vijë në pushtet në Tiranë një qeveri, që do t’i jetë lëshuese ndaj interesave greke.

Nuk është sekret që qeveria greke e ka vënë bastin tek opozita e sotme shqiptare dhe konkretisht tek Partia Demokratike, kryetari i së cilës, Lulzim Basha, është nënshkruesi i marrëveshjes antikushtetuese të detit të vitit 2009, e cila i dhuroi Greqisë 350 kilometra katrore nga hapësira sovrane e Shqipërisë. Në eventualitetin e një fitoreje elektorale, kryetari i opozitës shndërrohet në kryeministër i Shqipërisë dhe është lehtë të parashikohet rrjedhja e punëve pastaj. Ndaj qeveria aktuale greke, njëlloj si opozita shqiptare, është e interesuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ajo madje po inkurajon aktorë dhe grupe të politikës shqiptare për t’i çuar punët në Shqipëri drejt realizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: