Nga: Dr. Stavri J. DAJO*

Këto ditë mbushen 56 vjet nga vizita historike disadi tore e Nikita Hrushovit në Shqipëri. Arkivat e huaja nxjerrin në dritë elementë të rinj të kësaj vizite të bujshme kryesisht me mëtime ushtarake. Nikita Hrushovi (1894-1971) ishte udhëheqësi i parë i një vendi të huaj që vizitonte Shqipërinë, në dalje të majit 1959, pas ftesave të përsëritura të udhëheqjes partiake dhe qeveritare shqiptare, të cilat Kremlini i refuzonte me mospërfillje, në ndonjë rast dhe me përçmim. Stalini, përgjithësisht indiferent ndaj fateve shqiptare, i kishte deleguar Titos tagrin e kontrollit të Shqipërisë dhe trajtimit të saj në mënyrë arbitrare, duke i njohur një farë supremacie si nën-satelit i Moskës, ndërsa pas konfliktit sovjeto- jugosllav dhe si pasojë edhe atij shqiptaro-jugosllav (pranverë 1948), pozita e Shqipërisë u përshkallëzua për shkak të çështjes greke dhe implikimit të drejtpërdrejtë të Shqipërisë në luftën civile të Greqisë, por edhe të pozitës gjeografike të saj si avanpostë e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe dhe në Detin Adriatik. Greqia përbente që në krye të herës ëndrrën e lashtë cariste për dalje në Mesdhe. Por mbarimi i Luftës Civile greke (gusht 1949) dhe më vonë vdekja e Stalinit (mars 1953) ndryshonin shumë elementë në opsionet gjeopolitike të Kremlinit në Ballkan. Evropa hynte në një periudhë stabiliteti politik, përplasjet e brendshme klasore u zbehën, dy formacionet politike dhe ushtarake, ai i Lindjes dhe Perëndimit, po kalonin një periudhë moratoriumi dhe paqeje. Gjatë kohës së sundimit hrushovian, në gjithë perandorinë komuniste, u realizuan reforma politike reale, shtypja politike dhe represioni ideologjik amortizohej, po ashtu dhe terrori klasor dhe politik, porse, në çdo rast, fara u konservua, strukturat dhe shërbimet famëkëqija të fshehta dhe levat e diktaturës komuniste u ruajtën dhe kësisoj Brezhnjevi i gjeti gati vite më vonë. Më 1956, Bashkimi Sovjetik ndryshonte açik politikën e tij të jashtme: dogma e bashkekzistencës paqësore kualifikohej si elementi themelor i politikës së jashtme sovjetike. Hrushovi, në suazë të kësaj politike, bëri përçapje për një përafrim pajtues me Titon, por kompromisi i shpallur gjatë vizitës së tij të bujshme në Beogradi më 1955, ishte problematik dhe në thelb dështak, për shkak të politikës së paangazhuar të Beogradit dhe ambicieve personale të Titos për të luajtur një rol udhëheqës të pavarur ndërkombëtar. Megjithatë, kursi dhe mëria antititiste u braktisën dhe Enver Hoxha, si armik i deklaruar i tij, rezultonte prapë i nënvleftësuar dhe në pozitë jo të favorshme. Sa i përket Greqisë, udhëheqësi sovjetik, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës greke ‘To Vima’ më 4 maj 1958 deklaronte se Bashkimi Sovjetik donte të kishte marrëdhënie të mira me Greqinë, por nuk harronte të kujtonte se instalimi i bazave të raketave në Greqi do të shkaktonte reaksion për një goditje atomike me pasoja tragjike për vendin dhe rajonin gjithëgadishullor. Hrushovi vizitoi shumë krahina të Shqipërisë (25 maj-4 qershor 1959) midis të cilave dhe Korçën, Gjirokastrën, mjediset arkeologjike të Butrintit dhe portin detar të Sarandës. Ditën e dytë të vizitës së tij, në një miting mbarëpopullor në Tiranë, Hrushovi nyjëtonte esencën e politikës sovjetike për rajonin duke shpallur doktrinën e “Ballkanit pa raketa”. Në rrjedhë të fjalës së tij theksoi kërcënueshëm se Italia kishte rënë dakord që të lejonte instalimin e bazave të raketave “e pozicionuar kundër Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera socialiste, përfshirë edhe Shqipërinë”. Shtoi, gjithaq, se Greqia, e cila kufizohet me Shqipërinë, me sa dukej ishte e predispozuar të ndiqte të njëjtën politikë luftëndezëse. Hrushovi përsëriti se Bashkimi Sovjetik dëshironte një rajon ballkanik në paqe si dhe në rajonet e tjerë të rruzullit, por nuk harroi të përmendte “fuqinë e pamposhtur të kampit socialist”, forcat ushtarake të të cilit shtohen përditë. Sistemet e armatimit të vendeve socialiste gjendeshin në një nivel më të lartë dhe më të modernizuar se sa ato të vendeve të Perëndimit, vlerësonte Kremlini. Ndërsa nga Korça Hrushovi kërcënoi drejtpërdrejtë Greqinë me reprezalje bërthamore. Publikisht, Hrushovi deklaroi se cilido që do të orvatet të cenojë kufijtë e Shqipërisë do të ndeshet me fuqinë ushtarake të gjithë kampit socialist dhe se çdo dhunim imperialist i lirisë dhe i sovranitetit kombëtar të saj do të dështojë mirëfilli. Në sajë të disponimit të sistemeve moderne të armatimit, Bashkimi Sovjetik ishte në gjendje të ndihmonte Shqipërinë me armë mbrojtëse, madje pa qenë fare nevoja për dërgimin e forcave ushtarake konvencionale në territorin shqiptar, sipas mendësisë sovjetike. Konkluzioni ishte i qartë: ndërsa Kremlini njihte vështirësinë e dërgimit të trupave konvencionalë në Shqipëri, pa shkelur më parë neutralitetin jugosllav dhe grek, kërcënonte zgjerimin e konfliktit rajonal në një luftë botërore. Hrushovi theksonte se Shqipëria ishte e detyruar të instalonte armë bërthamore, meqenëse Italia, Greqia dhe Greqia si vende të NATO-s shprehnin gatishmërinë të instalonin baza atomike në territorin e tyre si kundërpërgjigje. Shqipëria u konsiderua vend i përshtatshëm për instalimin e armëve dhe raketave me rreze të vogël dhe të mesme veprimi për të goditur pellgun lindor të Mesdheut. Misioni i Hrushovit në Shqipëri lidhej edhe me frikën për ripërtëritjen e Paktit Ballkanik abortativ të arritur disa vite më parë mes Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë, demonstrimin e forcës bërthamore në rajonin e Mesdheut, inspektimin e marrëdhënieve mes vendeve të bllokut lindor në hije të rebelimit titist dhe të mbështetjes të së vetmes vendrojë të Bashkimit Sovjetik në strategjinë e Mesdheut në dritën e mëtimeve afatgjata ushtarake në rajon; natyrisht, nuk kishin dalë ende në dritë rivalitetet e brendshme në bllokun lindor ndërsa konflikti sovjeto-kinez dhe shqiptaro-sovjetik ende nuk po dukej. Për pasojë, themeli i kampit lindor dukej solid.
ÇËSHTJA E MINORITETIT GREK DHE REAGIMI SHQIPTAR
Gjatë vizitës në krahinat greqishtfolëse të Shqipërisë së Jugut ku banon etnitet kompakt grek, sipas ditarit të Hrushovit, ai konstatoi se veçantitë kombëtare të kësaj popullsie ishin të dallueshme në krahasim me pjesën tjetër të vendit, ngaqë shumica dërrmuese e popullsisë së kësaj zone përbehej nga elementi grek. Në përgjithësi jugu i Shqipërisë paraqiste një imazh kulturor më të evoluuar, elementë krejt të ndryshëm nga gjithë pjesa tjetër e vendit. Këto veçanëri, rrëfen Hrushovi, të Jugut të Shqipërisë, shqiptarët me sa duket nuk u kujdesën që t’i shfrytëzonin, por përkundrazi, siç vuri re, u përpoqën me çdo mënyrë t’i degradonin. Pas vizitës së Zhukovit në Tiranë (tetor 1957), Hrushovi e shikonte Shqipërinë si një vend ideal për instalimin e raketave bërthamore, por konstatonte divergime me politikën shqiptare, e cila këmbëngulte në zbatimin e një modeli të ashpër stalinist. Disa vite më vonë ai e cilëson Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun si “fëmijë të këqij, që kanë mësuar rrugëve vetëm fjalë të pista” dhe asgjë tjetër. Në një vend tjetër ai i etiketon shqiptarët me snobizëm “qelepirxhinj” që kërkojnë vazhdimisht ndihma. Hrushovi i shprehu surprizën dhe admirimin Enver Hoxhës për praninë e elementit grek, por ai, i bezdisur hapur, u përpoq ta bindte se ata ishin shqiptarë të helenizuar gjuhësisht. Në Korçë, tregon Hrushovi, shqiptarët dhe grekët punojnë të vëllazëruar. Një vit më vonë, gjatë një komunikimi me politikanin grek, Sofoklis Venizelos dhe kërkesave të paqarta të këtij të fundit për pakicën greke, Hrushovi premtoi se këto ankesa do t’ia përcillte direkt Enver Hoxhës në takimin e Bukureshtit.
REAGIMI GREK
Greqia refuzoi menjëherë propozimin sovjetik për çarmatimin bërthamor dhe instalimin e raketave në gadishullin ballkanik si një iniciativë jo frytdhënëse për konsakrimin e sigurimit dhe deklaroi se bazat e raketave në Greqi do të jenë nën kontrollin e përgjegjshëm të qeverisë greke. Qëndrimi grek iu përcoll qeverisës sovjetike një ditë më vonë në formë aide-mémoire përmes ambasadës sovjetike në Athinë. Në plan retorik përgjigja greke ishte dhe më e prerë dhe e ashpër: instalimi i bazave ushtarake në Greqi kishte për qëllim blindimin mbrojtës të vendit nga shantazhi komunist dhe nga ndërhyrjet brutale të këtyre vendeve në konfliktet e brendshme të vendit, theksonte qeveria greke. Dhe me të vërtetë, mbjellja e armëve bërthamore si dhe instalimi i bazave të raketave në Shqipëri shumëfishonte rreziqet për Greqinë dhe e bënte eminent rrezikun imagjinar nga veriu, sipas dogmës amerikane. Shqipëria, pas mbarimit të konfliktit shumëvjeçar civil, i cili më së shumti ishte një rebelim komunist dhe komplot i bashkërenduar i vendeve lindore për të përmbysur me dhunë qeverinë e ligjshme greke dhe për të instaluar diktaturën komuniste, po hynte sërish në një lojë të rrezikshme politike dhe ushtarake me përmasa ballkanike dhe pasoja të paparashikueshme. Instalimi i bazave ushtarake, armatimet e raketave dhe kokat bërthamore në Shqipëri, ishin në një kuptim tjetër, veprimet respektive të NATO-s në Evropën Juglindore. Kryeministri grek, Konstantinos Karamanlis, që e cilësonte verbin kaposhërues hrushovian një shantazh të hapur, deklaroi se Greqia do të mbetej e pandikuar nga diktatet e huaja dhe kërcënimet dhe në çdo rast, udhëheqja e ligjshme dhe e përgjegjshme e popullit grek do të vepronte me dinjitet duke u nisur nga vullneti i popullit dhe interesat e vendit. Kështu ishte shprehur edhe disa ditë më parë dhe ministri i Jashtëm grek, Evangelos Averof. Në të njëjtën kohë Departamenti i Shtetit e cilësonte më shumë se absurd veprimin e Hrushovit dhe shantazhet e tij nga Korça ndaj Greqisë, një qytet i cili ishte lidhur me epopenë greke të luftës së vitit 1940 që stimulonte reflekset etnike dhe luftarake të grekëve.
ANALIZA AMERIKANE E ZHVILLIMEVE POLITIKE
Vetëm disa ditë më vonë, më 15 qershor 1959, një funksionar i lartë i Departamentit të Shtetit, Spencer Barnes, hartonte një raport shumëfaqësh për udhëheqjen e lartë lidhur me implikimet që shkaktonte vizita e Hrushovit në Shqipëri. Sipas analizave të ekspertëve amerikanë, Shqipëria gjithmonë përbënte hallkën më të dobët të formacionit lindor. Për shkak të ambicieve territoriale jugosllave dhe greke, por edhe interesave politike italiane e ardhmja e saj nuk ishte aspak e sigurt: Shqipëria rrezikohej ose nga një kërcënim i jashtëm ose nga një rebelim i brendshëm sipas modelit hungarez para dy vjetësh. Porse një humbje e Shqipërisë do të thoshte një goditje e rëndë për dinjitetin politik dhe perandorak të Bashkimit Sovjetik, por edhe për vetë prestigjin e Hrushovit. Për këto arsye, vizita e tij në Shqipëri merrte një rëndësi të veçantë, simbolike dhe substanciale; kjo u duk si në nivelin e përfaqësimit politik të Bashkimit Sovjetik (u inkuadrua nga ministri i Mbrojtjes Malinovski si dhe ministri kinez i Mbrojtjes, Peng Te- Huai, por edhe ministra të tjerë të Mbrojtjes të vendeve të Lindjes që u ndodhën ato ditë në Tiranë), kohëzgjatjen e vizitës 12 ditë (i kushtoi shumë më tepër kohë se çdo vizitë tjetër në çfarëdo vendi tjetër të bllokut lindor gjithë ato vite), propagandën e ethshme në median sovjetike si dhe pritjen tejet servile nga puthadorët komunistë shqiptarë, E. Hoxha dhe M. Shehu, e rrallë, madje edhe për vetë kronikën e vendeve satelitore sovjetike, një poshtërim që tejkalonte edhe atë të kultit të Stalinit. Është e vërtetë se qeveria komuniste shqiptare i ishte nënshtruar tërësisht Kremlinit me vullnet të plotë dhe në çdo rast identifikohej tërësisht dhe me bindje të verbër me vijën politike të tij, duke luajtur rolin e një sateliti të urtë dhe bash për ketë u pranua dhe në Traktatin e Varshavës. Por, paralelisht, ndiqte një politikë të brendshëm staliniste madje më staliniste se vetë Stalini, me shtypje dhe dhunë politike ndaj kundërshtarëve të saj. Stalinizmi, sipas amerikanëve, do të shprehej më vonë si një element antisovjetik i klasës politike shqiptare. Synim, thënë ndryshe, i liderit sovjetik ishte që të demonstronte vendosmërinë e Kremlinit për të mbajtur në orbitën sovjetike Shqipërinë, pavarësisht nga përpjekjet e jashtme dhe të brendshme për ta shkëputur nga perandoria e lindjes, me të gjitha mjetet edhe pse barra ekonomike për të mbajtur këtë vend të vogël nuk ishte e papërfillshme dhe askush nuk mund të garantonte se a e meritonte që të rrezikohej një luftë botërore dhe prestigji i Kremlinit për hir të një Shqipërie të papërfillshme. Kësisoj, me vizitën e Hrushovit në Shqipëri dhe deklaratat e tij luftëdashëse, politika e Bashkimit Sovjetik ndryshonte; braktiste dogmën zhurmëshumë të retorikave pacifiste dhe bashkekzistencës paqësore. U duk hapur kriza me Perëndimin, e cila do të arrinte kulmin me ngjarjet e Kubës në vijim. Me të vërtetë, në vigjilje perspektivës së instalimit të bazave të NATO-s dhe rezervave atomike në rajonet fqinje, Itali Greqi dhe Turqi, pa pasur mundësi t’i përgjigjet garës së armatimeve, por edhe për të ruajtur ekuilibrin e forcave, Bashkimi Sovjetik përpiqej t’i shmangej luftës duke deklaruar se nuk i trembej asaj dhe madje përgatitej për luftë, duke promovuar në të njëjtën kohë dogmën për një rajon gadishullor ballkanik pa armë dhe raketa bërthamore. Në rast se kjo dogmë do të dështonte, Kremlini gjykonte se Shqipëria ofrohej më së miri për instalimin e bazave të raketave bashkë me Bullgarinë, ngaqë udhëheqja politike e tyre ishte më e nënshtruar ndaj kursit hrushovian se sa ato të vendeve të tjera të familjes socialiste dhe niveli ekonomik i tyre ishte dukshëm më i prapangelur se sa i vendeve të tjera. Veçanërisht në Shqipëri, survejimi policesk dhe dhuna politike ishin të dallueshme në krahasim me vendet e tjera dhe armatimi bërthamor mund të servirej si trashëgimi dhe pasuri kombëtare. Kjo lëvizje do të ishte dhe një paralajmërim kërcënues ndaj Beogradit, pavarësisht nga konsensusi i arritur për të frenuar retorikën propagandistike agresive verbale dhe përpjekjet tinzare të Hrushovit për të joshur Titon. Sipas modelit perëndimor të Berlinit, Moska dëshironte të zbatonte të njëjtën politikë si kundërpeshë në Shqipëri. Më anën tjetër, në Uashington besonin se ky qëndrim mund të ishte dhe një blof i menduar mirë për të matur pulsin e vendeve të NATO-s dhe për të parë reagimin e vendeve të Perëndimit. Në një gjasë të tillë, Departamenti i Shtetit mendonte seriozisht që të kryente manovra manipuluese për të rivendosur marrëdhënie me Shqipërinë, edhe pse dihej mirëfilli se një nismë e tillë do të dështonte paq. Më 24 maj 1958, Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Shteteve të Bashkuar me vendim përkatës referonte: “Nëse do të gjykohet funksionale, të ndermirën nisma për rilidhjen diplomatike me Shqipërinë, në bazë të disa predispozitave konkrete, përfshire edhe trajtimin e drejtë të diplomatëve amerikanë në Tiranë si dhe të zgjidhjes përfundimtare të vlefshmërisë së marrëveshjeve dhe të konventave midis dy vendeve që ishin lidhur para luftës”. Porse për arritjen përfundimtare të këtyre objektivave do të kalonte shumë kohë.

*Stavri J. DAJO është doktor i shkencave historike i Departamentit të Historisë dhe Filologjisë në universitetin “Aristoteli” të Selanikut

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: