TIRANE- Mungesa e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka bllokuar Shkollën e Magjistraturës, pasi koha e dispozitave kalimtare ka mbaruar dhe askush nuk mund të emërojë magjistratët që përfundojnë studimet në qershor, ndërkohë që Shkolla e ka të pamundur edhe të nisë konkurset e reja në vjeshtë.
Për të zgjidhur ngërçin, mazhoranca propozoi që në mungesë të institucioneve të drejtësisë, të jetë vetë Shkolla e Magjistraturës që të realizojë pranimet e reja, ndërsa emërimet për gjyqtarët dhe prokurorët, të bëhen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroja e Përgjithshme e Përkohshme.
Vetë drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, në emisionin “Studio e Hapur” në “News24” thotë se institucioni që ai drejton vijon punën. Ajo thotë se situata e krijuar nuk duhet të quhet “bllokim” i Shkollës së Magjistraturës, por i sistemit.
Sadushi thotë se Shkolla e Magjistraturës do të rihapet në Tetor, normalisht si çdo institucion tjetër arsimor, ndonëse deri më tani duket se është e pamundur të bëhen regjistrimet e reja. Sipas tij, pasojat e kësaj situate do të ndihen në vitet e ardhshme.
“Shkolla nuk është e bllokuar, pasi e ka bërë punën e saj sa i takon diplomimit të studentëve. Pra janë diplomuar 16 studentë, por nuk është përgjegjësia e Shkollës së Magjistraturës fakti që ata nuk janë punësuar. Mund të duket sikur bllokohet në një pikëpamje, por nuk është e bllokuar Shkolla, por sistemi. Nëse nuk lejon që tani në vitin 2018 të kemi 50 kandidatë të regjistruar, atëherë efektet do të ndihen në vitet e ardhshme. Në vitin 2021 do të ketë efekte, dhe nuk do të jenë të diplomuar 50 kandidatë që do të ishin futur në Shkollën e magjistraturës. Pra i bllokuar është sistemi, pasi janë bllokuar emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, shprehet Sadushi.
(BalkanWeb)