TIRANE– Gjatë vizitës së saj në Tiranë, Presidentja e Kroacisë ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Kolinda Grabar Kitaroviç tha se shqiptarët sakrifikuan jetën për lirinë e Kroacisë. Ajo tha se shqiptarët që jetojnë në Kroaci janë të respektuar dhe të integruar.

“Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për këtë ftesë dhe më kanë dhënë mundësinë për t’ju përshëndetur në këtë vizitë. Dy vendet tona janë të lidhura me detin Adriatik. Shqipëria ka qenë vendi ynë mik gjatë kohës kur miqtë ishin të paktë. Shumë shqiptarë sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e Kroacisë dhe më besoni, Kroacia nuk harron. Shqiptarët janë tërësisht të integruar dhe janë të respektuar në shoqërinë kroate”- tha Kolinda Grabar Kitaroviç.

Presidentja kroate tha se Kroacia mbështet fuqishëm rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.

“Shqipëria është një partner mjaft i rëndësishëm jo vetëm strategjik por edhe politik, kjo është njohur dhe nga BE. Kroacia mbështet fuqishëm rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe mirëpret të gjithë progresin e dukshëm që është bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve të kërkuara për anëtarësimin e BE”- tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb