TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akzuave për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, dhe për përgjimet e habilit, të arrestuar një ditë më parë në Itali.

Mediat italiane kanë nxjerrë sot detaje të tjera nga goditja e grupit kriminal të drogës të drejtuar nga Moisi Habilaj, ndërsa referuar përgjimeve, shkruajnë për lidhjet e këtij të fundit me ish-ministrin e Brendshëm Tahiri.

Përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, kryeminsitri Rama thotë se duhet të zbulohet e gjithë e vërteta sa më parë.

Rama tha se nuk do të tolerohet askush që zgjedh rrugën e krimit.

POSTIMI I PLOTE
DUAM TË VËRTETËN! SA MË PARË!
Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve!
Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet.
Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.
Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam – Me shtet, punë, mirëqenie.
Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: