Ngarkesa prej 1.5 tonësh kanabis, e cila u kap në një skaf pranë Kalasë së Ulqinit disa ditë më parë, dyshohet se është nisur nga Shqipëria.

Për këtë arsye, Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka nisur hetimet në lidhje me këtë rast. Sipas informacioneve të para, dy shtetasit nga Vlora të arrestuar në Mal të Zi dyshohet se e kanë marrë në Shqipëri lëndën narkotike që po trafikonin.

Policia e Malit të Zi ka arrestuar shtetasit shqiptarë Bernard Tahiri dhe Elton Çaushi me dyshimet se ata janë të përfshirë në tregtinë ilegale të drogës.

“Më 11 maj, rreth orës 11:00, rreth 8 kilometra nga Plazhi i Madh, në ujërat në drejtim të Italisë, njësiti kufitar detar i Tivarit ka kontrolluar anijen ‘Club Man 28’. Anija është drejtuar nga Tahiri dhe Çaushi. Pas kontrollit, anija është ankoruar në Plazhin e Vogël. Në këtë anije janë kapur 78 thasë me nga 20 kilogramë marijuanë”, ka thënë një zyrtar nga policia malazeze për gazetën “Vijesti”.

Hetimi mësohet se ka përfshirë tre shtete, pasi mjeti lundrues dyshohet se ka ardhur nga Italia. Pasi është ngarkuar në Lezhë me lëndë narkotike, mjeti lundrues është nisur në drejtim të Malit të Zi, shkruan “Panorama”.

HETIMET
Pas njoftimit në lidhje me ngjarjen, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për këtë rast. Organi i akuzës ka nisur shkëmbimin e informacionit me Policinë e Shtetit dhe me palën italiane, duke mësuar të dhënat e para në lidhje me këtë rast trafikimi. Nga prokuroria ndërkohë po verifikohet e kaluara e dy të arrestuarve, Elton Çaushaj dhe Benard Tahiraj, me rolin e drejtuesit të skafit dhe shoqëruesit të tij.

Burimet thanë se po shikohet nëse këta shtetas kanë precedentë penalë, ndërsa po verifikohen edhe kontaktet e tyre. Dosja penale është regjistruar te Krimet e Rënda për akuzën “trafikimi i narkotikëve në bashkëpunim”.

Dyshohet se dy të arrestuarit Elton Çaushi dhe Tahiraj nga Vlora nuk kanë pranuar të flasin për hetuesit e policisë malazeze.

Nga ana tjetër, prokuroria ka ngritur dyshime se skafi ka ardhur nga Italia është ngarkuar në zonën e Talës në Lezhë dhe më pas ka udhëtuar drejt Malit të Zi. Pasi ka kaluar pranë ujërave të shtetit fqinj mësohet se Policia Kufitare e Malit të Zi ka pikasur skafin gjatë lundrimit rreth 8 milje larg bregut.

Pas konstatimit të tij, rojet bregdetare të policisë malazeze janë vënë në ndjekje të skafit, ku pas rreth 30 minutave drejtuesi i skafit dhe shoqëruesi i tij i janë dorëzuar policisë, ku edhe janë arrestuar. Dy të arrestuarit në Mal të zi, të cilët dyshohet se jetonin prej kohësh në Venecia të Italisë.

Sipas informacioneve të përcjella nga policia malazeze, skafi vinte i ngarkuar me drogë nga Shqipëria dhe dyshohet se kishte si destinacion Ulqinin. Pasi droga të mbërrinte aty, mendohet se trafikantët malazezë në rrugë tokësore do ta kalonin hashashin në vende të BE-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb