KORCE- Pas suksesit të dy netëve të para, Festa e Birrës në Korçë, tashmë ka hyrë në natën e tretë të saj me një pjesëmarrje akoma më mbresëlënëse. Këngët, birra Korça, kërnackat tradicionale korçare, kanë mbajtur në shesh mijëra qytetarë në vitin e 10-të të kësaj feste të kthyer tashmë në një traditë.

Nata e tretë, ka shënuar edhe numrin më të madh të pjesëmarrësve, mes tyre mjaft turistë të huaj, që kanë tejmbushur gjithashtu hotelet.

Emrat më në zë të skenës, Mateus Frroku, Juliana Pasha, Kejsi Tola, Kamela Islamaj, Elton Deda e Erjon Zaloshnja kanë sjellë më shumë hare e adrenalinë tek pjesmarrësit që shijonin birrën.

Drejtori i Përgjithshëm i “Birra Korça”, Kosta Gjylameti në një prononcim për “News 24” tha se pjesëmarrja në ditën e tretë është më shumë se 40 mijë vizitorë. “Ja ku jemi në 10-vjetorin e festës më të mirë, festën e Birrës “Korça”, festa e gjithë Shqipërisë. Sot pjesëmarrja është më shumë se 40 mijë. Festë shumë e bukur”,- tha ai.

Gjylameti shtoi se: “Birra Korça është mikëpritësja, është një nga birrat që mundëson këtë festë kaq të bukur. Kemi hapur dyert e fabrikës që njerëzit të shikojnë si prodhohet birra, ka cilësi, çmime të konkurrueshme”.

Festa e Birrës në Korçë konsiderohet si eventi më i madh festiv në Shqipëri. Mbi 100 000 persona pritet të vizitojnë festën e birrës në 5 netët e organizimit të saj. Kryesisht numri i madh i vizitorëve në festë i atribuohet principeve kryesore të organizimit të festës. Festivali është nderuar me çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon. Festa e Birrës në Korçë, jo vetëm është një segment i rëndësishëm përsa i përket tërheqjes së vizitorëve në rajon, por nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb