“Mendimi im i parë sapo pashë dritën e diellit ishte Zoti. Atëherë kuptova se me të vërtetë ai ekziston.”. Kështu u shpreh Ciro Marmolo, 11-vjeçari italian, i cili ishte i fundit nga 2 vëllezërit e tij që mbijetoi poshtë rrënojave pas tërmetit që ra në ishullin e Iskia-s të Italisë. 11-vjeçari u cilësua si ‘hero’ nga forcat e zjarrfikëses, të cilat gërmuan për 16 orë nën rrënoja, për të shpëtuar atë dhe vëllezërit e tij, 7-muajsh dhe 8 vjeç. Forcat e zjarrfikëses u shprehën se Ciro në kohën kur ra tërmeti, kishte shtyrë vëllain e tij poshtë krevatit dhe i kishte dhënë atij kuraje se gjithçka ishte në rregull. Madje edhe nën rrënoja, ai kishte vazhduar t’i fliste vëllait të tij 8-vjeçar, Matias, ndërsa komunikonte edhe me forcat e zjarrfikëses.

“Kur mora vesh se vëllain im i vogël ishte mirë, i thash vetes: Duhet t’ja dal mbanë’”, vijoi me rrëfimin e tij vogëlushi gjatë një interviste televizive, shkruan ‘Tgcom’. Mësohet se Ciro aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin ‘Rizzoli di Laço Ameno’. Bashkë me të në dhomën me ngjyrë të verdhë ndodhet edhe nëna e tij, Alessia, shtatzënë në muajin e pestë, në pritje të fëmijës së saj të 5-të, të cilën e ka vajzë, si dhe dy vogëlushët e tjerë.

Teksa sheh të birin, nëna shprehet se: “Atë natë të mallkuar kuptova se ndërhyri dora e Zotit që të na shpëtonte. Tashmë kam mësuar sesa vlen jeta”.

Ndërkohë, Ciro shpreh dëshirën e tij që gjithçka të kthehet si më parë, që ai bashkë me vëllezërit t’i kthehet lojërave me lodra. “Dua që të shërohem dhe të jem një fëmijë normal. Ku do shkojmë? Lodrat tona, çdo gjë e jona..humbëm gjithçka”, tha heroi i vogël për Luna tv. “Dua të luaj sërish poshtë shtëpisë time, të rri me shokët e mi, të shkoj në plazh, të vrapoj sikur mos të kishte më një të nesërme”, shtoi vogëlushi. Por, Ciro nuk la pa përmendur Marco de Felici, një prej punonjësve të zjarrfikëses së Lacios, që i dha ndihmën e tij vogëlushit. “Faleminderit që më dhe kurajo. Me siguri që do të shkojmë të hamë pica sëbashku. Po të mos ishte për ty, unë me siguri do kisha vdekur”, përfundon vogëlushi.

Tërmeti 3.6 ballë ra rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të henës, duke shkaktuar vdekjen e dy grave, ndërsa u plagosën 15 persona. Ndërkohë, 2.600 persona kanë mbetur në qiell të hapur, pasi banesat e tyre janë shkatërruar.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: