Nga: LEDIONA XHELADINAJ
KORÇË- Një 24-vjeçare nga Korça është bërë nënë para 8 ditësh, por nuk e di se cili është babai i fëmijës, pasi është abuzuar seksualisht nga shumë persona. E reja, e cila thotë se vuan nga probleme mendore, nuk ka guxuar të denoncojë dhunuesit, pasi ata e kanë kërcënuar me jetë duke i thënë: “Po hape gojë do të të vrasim dhe të hedhim në kanal”. Por, historia e trishtë e Paola Korritarit nuk përfundon me kaq. Ajo deklaroi dje se nuk mund ta rrisë të birin, pasi është e sëmurë dhe jeton së bashku me nënën e saj në kushte mizerabël në një shtëpi gërmadhë. Përmes lotëve, 24-vjeçarja, banuese në lagjen nr.5 të qytetit juglindor u shpreh në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se djali i saj po vdes nga uria dhe i ftohti, ndërsa drejtuesit e Shtëpisë së Foshnjës e kanë përzënë duke ia përplasur derën në fytyrë. “Nuk mund ta ushqej djalin e sapolindur normalisht. U bënë ditë që ai s’ka ngrënë, ndërsa është sëmurë nga verdhëza. E gjendur në një situatë të tillë, vendosa ta çoj fëmijën në jetimore, por drejtuesit e këtij institucioni më nxorën jashtë. I bëj thirrje shtetit të më ndihmojë, ndryshe im bir do të vdesë”, tha Paola Korritari.
Si e mësuat që kishit mbetur shtatzënë dhe ku është babai i fëmijës?
Unë nuk e dija që kisha mbetur shtatzënë, por mendoja se isha shëndoshur. Për shkak të shqetësimeve shëndetësore, shkova për vizitë në spital dhe aty mësova se isha shtatzënë. Babain e fëmijës nuk e njoh, pasi me mua kanë abuzuar seksualisht persona të ndryshëm.
Keni bërë denoncim në polici ndaj personave që kanë abuzuar me ju?
Jo, nuk kam bërë denoncim. Nuk mund të shkoj në polici, sepse kam frikë se më vrasin. Janë shumë meshkuj të moshave të ndryshme që kanë abuzuar me mua. Ata më thoshin mos thuaj asgjë, pasi në të kundërt do të të vrasim dhe të hedhim në kanal. Kam shumë frikë prej tyre, sepse nuk kam asnjë njeri të më mbrojë. Kam vetëm nënën e sëmurë, me të cilën jetojmë në një shtëpi është gërmadhë pa drita dhe pa ujë. Ndërsa, tani jam e terrorizuar për fatin e foshnjës sime 7-ditëshe. Fëmija është i sëmurë dhe unë nuk e mbaj dot.
Përse thoni kështu?
Përveç kushte të këqija ekonomike, unë jam e sëmurë. Nuk mund ta rrisë fëmijën tim, pasi jam me probleme mendore. As nëna ime nuk e mban dot, pasi dhe ajo është e sëmurë. Për këtë vendosëm ta çonim foshnjën në jetimoren e Korçës. Plotësuam dokumentet që duheshin dhe bashkë me nënën shkuam tek drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës.
Çfarë ju tha drejtoresha e Shtëpisë së Foshnjës?
Ajo nuk pranoi të na takonte, na nxori jashtë. E përsëris, unë s’kam asnjë mundësi ta mbaj. U jam përgjëruar drejtuesve të jetimores që të mbanin djalin atje, pasi s’ka ngrënë asgjë. Ai është i sëmurë nga i ftohti dhe nga verdhëza.
Cili është apeli juaj?
Nëse nuk e pranojnë fëmijën tim në jetimore, ai do të vdesë (qan). I kërkoj ndihmë shtetit të marrë masa para se humb djalin. Është e tmerrshme të të vdesë foshnja nga uria dhe i ftohti.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb