TIRANE- Me anë të një deklarate për mediat, zv/kryetari i KQZ-së Hysen Osmanaj dhe dy anëtarët, Vera Shtjefni dhe Klement Zguri kanë denoncuar disa parregullsi në listat shumemërore të kandidatëve për deputetë, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk i ka marrë parasysh kryetari i KQZ-së Denar Biba, siç thonë ata.

Duke e cilësuar vendimin e tij për të miratuar listat shumemërore të kundraligjshëm tre anëtarët thonë se kjo është një tjetër shkelje që po cënon rëndë procesin zgjedhor dhe po inkurajon dhe hap rrugën manipulimeve zgjedhore.

Në shenjë kundërshtimi, tre anëtarët e opozitës në KQZ braktisën më herët mbledhjen e komisionit, pas rrëzimit me votë nga katër anëtarët e mazhorancës të propozimit të nënkryetarit të KQZ, Hysen Osmanaj, për shtyrjen me 24 orë të shqyrtimit të listave për 5 parti, pas parregullsive të konstatuara, siç thotë Osmanaj.

DEKLARATA E PLOTË

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ne mbledhjen e dt. 07. 05. 2017, do të shqyrtonte disa projekt-vendime për miratimin e listave shumemërore të kandidateve për deputet të paraqitura nga partitë politike.
Tre anëtarët e KQZ konstatuan se për disa subjekte zgjedhore kishte parregullsi/mospërputhje mes nënshkrimeve mbështetëse në lista dhe atyre të vendosura në kopjet e kartave të identitetit.
Ne kërkuam verfikimin e këtij dokumentacioni. Kërkesa ishte në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor dhe është detyrim i KQZ për të verifikuar nënshkrimet mbështetëse të zgjedhësve për kandidatët dhe për të përjashtuar nënshkrimet e parregullta, sikurse e përcakton neni 71 i Kodit Zgjedhor.

Kryetari i KQZ refuzoi të kryejë këtë procedurë dhe e rrëzoi kërkesën tonë përmes një votimi të pambështetur në ligj.

Vendimmarrja e kryetarit të KQZ për të penguar ligjshmërinë dhe transparencën e dokumentacionit të kandidatëve për deputet dhe për të na penguar të ushtrojmë detyrën është një sjellje e përsëritur në dëm të misionit dhe detyrave të KQZ dhe në favor të interesave të subjekteve të caktuara zgjedhore.

Fatkeqësisht kjo vendimmarrje e re abuzive, është ne vazhdën e vendimmarrjeve të paligjshme të KQZ, si për shembull regjistrimi i listave të kandidateve të subjekteve zgjedhore tej afatit ligjor. Ne si anëtarë të KQZ-se, shprehim shqetësimin se kjo sjellje e KQZ-se po cënon rëndë procesin zgjedhor dhe po inkurajon dhe hap rrugën manipulimeve zgjedhore.

Hysen Osmanaj, Zv/Kryetar i KQZ-se
Vera Shtjefni, Anetare
Klement Zguri, Anetar
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb