Miqësoret e zhvilluara deri më tani kanë dhënë shenja shumë negative për përgatitjet e sezonit të ri për klubin e Bayern Mynchen pasi nga 5 të tilla, 4 prej tyre i ka humbur. Vetëm një fitore kundër Chelsea (3-2) dhe disfatat më pas kundër Milan, Inter, Arsenal dhe Liverpul kanë krijuar një ambjent jo pozitiv te klubi gjerman.

Ajo që dhemb më shumë është ndeshja e luajtur dje kundër anglezëve të Liverpul që u humb me shifrat 0-3, jo për shkak të rezultatit por për atë të dëmtimeve. Në ndeshjen e luajtur për “Audi Cup” u dëmtuan James Rodriguez, Thiago Alcantara dhe David Alaba.

Të tre këta lojtarë ishin në planet e Carlo Ançeloti-t për ndeshjen e Superkupës që luhet kundër Dortmund në fundjavë, por pas vizitave të para me gjasë vetëm Alaba mund të jetë nën urdhërat e teknikut italian për këtë takim, raporton faqja e klubit në internet.

Por, e njëjta nuk vlen edhe për James Rodriguez dhe Thiago Alcantara.

I pari ka një dëmtim muskulor në këmbën e djathtë dhe do të mungojë për disa javë, ndërsa spanjolli do të mungojë më pak, por, nuk do të jetë gati për ndeshjen e së shtunës.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: