TIRANË- Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura përkujtuan sot 4-vjetorin e rënies së “Dëshmorit të Atdheut”, kapiten Feti Vogli. Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Batalionit të Forcave Speciale në Zall-Herr, morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani, familjarë, të afërm, ish-kolegë të dëshmorit si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Fjalën e rastit në këtë ceremoni e mbajti zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, i cili vlerësoi veprën e kapiten Feti voglit dhe të kolegëve të tij që vijojnë angazhimin në misionet ndërkombëtare.

“Sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar veprën e “Dëshmorit të Atdheut” kapiten Feti Vogli. Ne humbëm një koleg të shkëlqyer, një koleg me veti të rralla, siç ishte kapiten Feti Vogli. Kjo është një ditë prove, se Shqipëria jo vetëm me fjalë e me fjalime, është e përkushtuar për paqe stabilitetin dhe lufta ndaj terrorizmit në botë, por është e përkushtuar me vepra. Kjo është një ditë vendosmërie, sepse ne sot deklarojmë me zë të fortë se Shqipëria do të vazhdojë të investohet për paqen. Do të investohet për të luftuar terrorizmin kudo në botë. Ne sot japim një provë tjetër se jemi një vend dinjitoz anëtar i NATO-s. Ne jemi në krah të aleatëve të mëdhenj të Shqipërisë, SHBA-ve dhe të gjitha vendeve të NATO-s. Duke përkujtuar kapitenin e lavdishëm Feti Vogli, jemi në krah të atyre djemve që vazhdojnë misionin në Afganistan, në Mali apo në ndonjë vend tjetër. Ne jemi këtu sot për të qenë në krah të çdo familjeje të ushtarakëve të Forcave tona të Armatosura”,-tha zëvendësministri Koçi.

Në përfundim të ceremonisë ministrja zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bazo bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë bustit të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Voglit, i cili ra dëshmor më 20 shkurt të vitit 2012 gjatë misionit Combat “Eagle 4”, në Kandahar të Afganistanit.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb