NGA ERJOLA JATA*

TIRANË- Jo pak por 50 mijë biznese që nga marsi i vitit të kaluar janë gjobitur për mosdeklarim në kohë të punonjësve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Pjesa më e madhe e bizneseve janë penalizuar gjatë periudhës së fushatës kundër informalitetit, shtator-dhjetor të vitit të kaluar.

Për bizneset këto janë gjoba të panjoftuara nga tatimet dhe konsiderohen të padrejta. Sipas avokatit të tatimpaguesve, vlera e gjobave për deklarime të vonuara të administratës të bizneseve të reja arrin në 10 mijë lekë të reja.

Ekonomistët e bizneseve të pyetur nga News24 thonë se po gjobiten edhe përpara marrjes së NIPT-it, i cili sipas tyre nuk jepet ne momentin e regjistrimit të biznesit, gjë që në sistemin e tatimeve kalon automatikisht në gjobë.

Ndërkohë, që ankohen edhe për paqartësi në procedurat online që duhen ndjekur. I pyetur në lidhje me këto ankesa, drejtori i shërbimit të tatimpaguesve, thotë se penalizimi është ligjor dhe janë bizneset ato që nuk kanë respektuar afatin kohor të deklarimit të punonjësve brenda 48 orëve të parashikuar në ligj.

“Ky është një ndryshim ligjorë i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2014 dhjetor nëpërmjet udhëzimit nr. 23 i cili ka të bëjë me kontributet e sigurimeve shoqërore kryesisht me momentin e deklarimit të bizneseve të reja apo marrjes në punë të punonjësve ose largimit të tij. Deklarata esig027 është një deklaratë e detyrueshme për të gjitha bizneset qofshin këto të reja apo biznese që ushtrojnë aktivitete në mënyrë normale. Deklarata esig027 është një deklaratë që nuk dorëzohet 24 orë kur fillon punonjësi punën por 48 orë mbas aktivizimit apo marrjes së Nipt-it nga biznesi në QKR. Bizneset janë të instruktuara qoftë në momentin e regjistrimit kur pajisen me NIPT apo pranë DPT që të logohen në sistemin elektronik të tatimeve dhe brenda 48 orësh të bëjnë vetëdeklarimin e administratorit apo të vetëpunësuarit. Paswordi është universal dhe është publikuar në websaitin dhe në udhëzimet që ne kemi publikuar gjithashtu ne kemi video ilustruese”, thotë Erion Prifti, drejtori i shërbimit të tatimpaguesve.

Priti tregon gjithashtu edhe procedurat elektronike të regjistrimit ku vihet re se njoftimi mbi gjobat i bizneseve del në mënyrë automatike, që do të thotë sipas tij se tatimpaguesi është në dijeni, sikurse e tregojnë edhe këto pamje.

Por sipas bizneseve aplikacioni që të njofton me tabelë për marrjen e gjobës është azhornuar vetëm në muajin qershor të këtij viti dhe jo gjatë periudhës mbi një vjeçare që janë aplikuar gjobat. Sipas Priftit ligji i procedurave tatimore ju jep të drejtë bizneseve të ankimohen lidhur me gjobat që sipas tyre mund të jenë të padrejta. Në rastet se argumentohet padrejtësia e gjobëvënies sipas tatimeve këto gjoba mund të anulohen.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: