Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, shprehet se klubi që ai zotëron do arrijë të bëjë më mirë se sezonin e shkuar në Kupat e Europës dhe se nuk mund të gjenden justifikime të tipit “Ekuban” pasi ekipi është i përgatitur për të shkuar larg në kompeticione të tilla.

Sakaq, numri 1 i të kuqve konfirmoi dëshirën për të afruar në skuadër trajnerin serb të Luftëtarit, Mladen Milinkoviç, për të cilin saktëson se ende nuk kanë nisur trataivat.

“Të gjitha skuadrat pothuajse janë të barabarta, sigurisht që vështirësitë gjithmonë ekzistojnë, por kam besim tek ekipi im, te lojtarët, stafi që do bëjmë një paraqitje shumë të mirë. Siç e dini të gjithë, Partizani po ringrihet dita ditës, për mua më e rëndësishme është investimi që ne po bëjmë dhe gjithmonë në funksion për të ecur sa më shumë në Evropë.

Ekipet nuk kanë shumë diferenca, por sigurisht duhet edhe pak fat. Sezonin e kaluar ne arritëm deri në fazën play-off të Europa League dhe me pak fat mund të kishim siguruar një biletë në fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Besoj që këtë vit të ecim edhe më shumë në Europa League”, ishin fjalët e presidentit të Partizanit për “RTSH Sport”.

Mungesa e njeriut-gol të një sezoni më parë, Kaleb Ekuban, për të nuk është justifikim, pasi kujton se futbollisti në fjalë nuk e nisi si titullar eksperiencën e tij te të kuqtë.

“Sigurisht që mungesa e Ekuban mund të ndikojë pasi ishte lojtari ynë më i mirë dhe ishte në formën e huazimit. Për të nuk u arrit marrëveshja për të qenë i yni edhe për këtë periudhë, ndonëse kemi ende shpresa të vogla për ta rikthyer pasi vijojnë bisedimet.

Kemi afruar në skuadër dy lojtarë të huaj, po ashtu është afruar edhe Progni një lojtar me eksperiencë. Mendoj se nuk kemi bërë ndryshime të mëdha, po të mbani mend edhe vitin e kaluar ne pothuajse me këtë grup lojtarësh arritëm suksese, ndërsa Ekuban qëndronte në stol”, shpjegoi ai.

Të gjitha shpresat në këtë sezon janë drejtuara nga Luçiano Moxhi, të cilit Demi i beson verbërisht.

“Luçiano Moxhi është një nivel i lartë. Jo pa qëllim ne kemi realizuar një marrëveshje 3 vjeçare bashkëpunimi, për të vënë në jetë ato gjëra që Moxhi di t’i realizojë më së miri. Për vetë faktin se Moxhi vjen nga një pjacë e lartë futbollit për të dhënë kontributin e tij në një vend të vogël si Shqipëria.

Ai ka filluar me organizimin e Klubit nga A-ja , gjithashtu me pretendimin për të sjellë edhe lojtarë. Nuk është aspak e lehtë të sjellësh lojtarë të niveleve të larta në një kampionat si Shqipëria, por unë kam shumë besim te Moxhi, që hap pas hapi ai do të realizojë gjëra mjaft pozitive për Partizanin.

Konceptin e punës ai e ka njësoj si mua, e shikon si një biznes këtë punë. Ne nuk dëshirojmë lojtarë që thjesht t’i marrim te Partizani për të luajtur ne Evropë e pastaj në kampionat të kërkojmë të tjerë, por Partizani të disponoj një pjesë të kartonit të tyre”.

Në fund, Demi foli edhe për zërat rreth afrimit të Mlladen Milinkoviç në pankinën e Partizanit, duke konfirmuar pëlqimin që ka për teknikun i cili në sezonin e kaluar drejtoi Luftëtarin.

“Nuk ka asgjë konkrete, dua të them se gjithë stafi ynë e ka pëlqyer Milinkoviç si trajner për aq sa kemi mundur të shohim. Asnjëherë nuk mund të thuhet “jo” për njerëz të cilët punojnë mirë, megjithatë nuk kemi kryer asnjë bisedim konkret.

Unë do zhvilloj një takim me përfaqësuesin e Milinkoviç. Nuk do të bisedojmë thjesht për këtë çështje, por edhe për mundësinë e bashkëpunimit me agjencinë e cila ndodhet në Austri dhe më duket serioze. Por e përsëris, nuk kemi diçka konkrete, thjesht një prezantim xhentëlmenësh”, deklaroi Demi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb