GREQI- Është shuar në moshën 99-vjeçare ish-kryeministri i Greqisë, Konstandinos Mitsotakis. Ai ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së hënës sipas një deklarate të familjes. Mediat greke e quajnë atë “i fundit i të mëdhenjve të politikës” për shkak të kontributit shumë të madh që ka luajtur në skenën politike greke.

Konstantinos Mitsotakis lindi në vitin 1918, ndërsa veprimtaria e tij politike nisi në vitin 1946, kur u zgjodh për herë të parë deputet me Partinë e Liberalëve të Eleftherios Venizelos.

Me fillimin e juntës ushtarake në prill 1967, arrestohet për disa muaj dhe pasi u lirua, u largua në Francë, për t’u rikthyer në vitin 1973. Në vitin 1978 hyri në radhët e Demokracisë së Re. Më 1984 zgjidhet lider i Partisë Konservatore, ndërsa në vitin 1990 kryeministër i Greqisë, deri në 1993, kur pasi humb zgjedhjet, jep dorëheqjen.

Konstantinos Mitsotakis u largua nga jeta politike në vitin 2004, pas 58 vitesh në Parlament, dhe do mbahet mend si një politikan një jetë shumë të gjatë parlamentare.
Konstantinos Mitsotakis është babai i Dora Bakojanis, ish-ministre e Jashtme e Greqisë dhe e Qiriakos Mitsotakis, tashmë lideri i Demokracisë së Re.

Mitsotakis ishte njeriu që forcoi lidhjet e Greqisë me Bashkimin Evropian. Gjatë 3 viteve të qeverisjes, ai konsolidoi anëtarësimin e Greqisë në BE, i njohur si Komuniteti Europian në atë kohë, duke siguruar pranimin e vendit të tij në Bashkim gjatë Samitit të Maastrichtit në dhjetor 1991.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb