TIRANË- Drejtuesi politik i PS në qarkun e Elbasanit Taulant Balla ka zgjedhur banorët e Kuturmanit në Elbasan për të bërë deklarata politike në lidhje me marrëveshjen Rama-Basha.

Balla ka zbuluar se marrëveshja u bë vetëm për vettingun në mënyrë që kur kryeministri Edi Rama të shkonte në Bruksel, procesi të kishte nisur. Nuk ka munguar as ironia e Ballës për kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe aleatët e tij.

“Sot është një ditë e veçantë, unë jam këtu me ju, Edi Rama është me Donald Trump në Bruksel edhe Lul Basha duke nda me Nard Ndokën ku do kandidojë Nard Ndoka edhe me atë kaubojsin që përzumë ne. Të gjithë duhet ta dimë që nuk ka dyshim që Edi Rama do të jetë sërish kryeministër dhe PS do t’i fitojë këto zgjedhjet”, tha Balla.

Ai theksoi se kësaj radhe është votimi më i rëndësishëm që kemi pasur në gjithë këto vite.

“Në rast se PS nuk siguron e vetme qeverisjen 71 do duhet të bëjmë përsëri koalicione. Ato të PD-së i gënjen mendja e kujtojnë se do i marrim ata, po na ka lujt mendja ne të marrim ato. Ne i morëm për këtë marrëveshje për shkak se na duhet të mos e vonojmë asnjë ditë Vettingun dhe që donim që kur Rama të shkonte në Bruksel për të takuar Trumpin dhe Merkelin ne ta kishim filluar procesin e Vettingut me qëllim që menjëherë më pas të hapen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, që djemtë e Kuturmanit të cilët kanë pushtuar Europën mos jenë më si emigrantë të paligjshëm, por të udhëtojnë me një pasaportë të një vendi anëtar të BE”, tha Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: