Nga: Mariglen Mërtiri

Sizmologët presin që në Shqipëri të ndodhë një ngjarje sizmike me magnitutë 6, raportn BalkanWeb. Kjo referuar statistikave dhe probabilitetit duke marrë shkas vitin 1967, pasi një tërmet i madh përsëritet pas 50 vitesh.

Por ajo që mbetet e panjohur për specialistët është koha e saktë dhe vendi konkret, e vetmja gjë që s’mund të parashikohet.

“Me një periodë përsëritje 50 vjet, tërmetet me magnitudë 6 kanë probabilitet 75% që të ndodhin. Pra në çdo 50 vjeçar ne presim me një probabilitet 75% një ngjarje me magnitudë 6. Me rritjen e magnitudës perioda e përsëritjes së tyre ndryshon, mund të kalojë edhe një shekull për tërmetet me magnitudë mbi 6.5. Kështu që në terma probabilitar dhe statistikorë këto terma janë të vlerësuara drejtë. Sa i përket parashikimeve, nëse do të ndodhin këtë vit, apo do të ndodhin në një kohë të afërt, kjo është shumë e vështirë të thuhet, se vetë kjo dukuri është një dukuri tepër komplekse. Kështu që nuk përjashtohet ndodhja e një tërmeti me magnitudë mbi 6 në territorin shqiptar, për vetë natyrën tektonike karakteristike që ka territori ynë. Por që të parashikohet ekzaktësisht në kohë se kur do të ndodhi dhe në vendin ku do të ndodhi, kjo është e pamundur”,- shprehet Edmond Dushi, sizmolog pranë IGJEUM për BalkanWeb.

Frika shtohet edhe më shumë kur thatësira e zgjatura dhe përmbytjet janë bërë një fenomen natyror që është prezent gjithnjë e më shpesh në vendin tonë. Por, sizmologët përjashtojnë që ngjarjet sizmike që ndodhin thellë nën tokë të kenë lidhje me dukuri natyrore që ndodhin mbi sipërfaqen e saj.
“Nuk mendoj dhe nuk haset në asnjë lloj studimi apo literature që temperaturat e larta apo thatësira të kenë lidhje me dukuri sizmike. Nuk ka lidhje as logjike dhe as shkencore pasi tërmetet janë dukuri që ndodhin në thellësi të tokës, vatrat e tërmeteve ndodhin disa kilometra nën tokë ndërsa thatësira është një fenomen që ndodh në sipërfaqe”,- sqaron ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb