Policia ka shoqëruar gjashtë persona si të dyshuar për krimin e ndodhur të dielën në mbrëmje në fshatin Rukaj të Matit, ku mbeti i vrarë Hajredin Lleshi.

Efektivët e Komisariatit të Burrelit e kanë gdhirë natën jashtë në kërkim të autorëve të vrasjes së 60-vjeçarit dhe pas kontrolleve të shumta në fshatrat përreth e në Mamurras, ku dyshohej se strehoheshin ata, u shoqëruan gjashtë persona.

Autori i vrasjes në Angli, Arben Lleshi
Autori i vrasjes në Angli, Arben Lleshi

Ata janë të afërm (dajat dhe familjarë të tjerë) të emigrantit të vrarë disa vite më parë në Angli, Agim Hoxha. Autori i dënuar për këtë krim është nipi i 60-vjeçarit të vrarë dy net më parë. Gjatë marrjes në pyetje nga Policia, mësohet se të dyshuarit kanë mohuar që të kenë lidhje me vrasjen.

“Nuk kemi lidhje me vrasjen. Nuk jemi ne autorët”, mësohet të kenë deklaruar në polici të shoqëruarit, të cilët, pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë. “Kemi ushtruar kontrolle në fshatrat Rremull, Rukaj, Bruç, Prell e Urakë. Nuk kemi lënë banesë të braktisur pa kontrolluar. Kemi ngritur gjatë gjithë natës postblloqe në akset rrugore Rukaj-Rrëshen dhe Urakë-Burrel. Çdo mjet është kaluar në filtër. Po ashtu kemi udhëtuar drejt Mamurrasit, ku kishim dyshime se ishin strehuar autorët e krimit. Kemi shoqëruar gjashtë persona dhe po hetojmë fort për përfshirjen ose jo të tyre në këtë ngjarje”, tha për “Panorama” një zyrtar i Policisë së Matit.

Emigranti i vrarë, Agim Hoxha
Emigranti i vrarë, Agim Hoxha

Po sipas tij, autorët janë njohës të mirë të terrenit dhe ka gjasa të kenë pasur si bashkëpunëtorë persona që e njihnin mirë zonën dhe viktimën Hajredin Lleshi. “Ne shoqërojmë vazhdimisht persona të dyshuar. Po hetojmë nëse ndër personat e shoqëruar ka të përfshirë në këtë ngjarje, apo në atë të katër viteve më parë”, sqaruan burime nga grupi i hetimit.

I njëjti burim shtoi se po hetohet në lidhje me makinën që u gjet e djegur pardje, pak kilometra larg banesës së familjes Lleshi në Rukaj. Gjatë ditës së djeshme, familjarët e viktimës nuk janë marrë në pyetje nga hetuesit e ngjarjes, pasi ata kanë pritur ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre.

Mësohet se ata u qëndrojnë pohimeve të para se kryefamiljari është thirrur nga dikush dhe sapo ka dalë në oborrin e shtëpisë, janë dëgjuar breshëri plumbash. Kur bashkëshortja dhe fëmijët kanë dalë për të parë çfarë kishte ndodhur, kanë gjetur Hajredinin të pajetë. Pak minuta pas ngjarjes, ishte djali i 60-vjeçarit që telefoni policinë për atë që kishte ndodhur.

VRASJA NË ANGLI

Vrasja e emigrantit Agim Hoxha nga fshati Shqefën i Macukullit vazhdon të sjellë viktima në familjen Lleshi. Dyshohet se vrasja e dy vëllezërve Lleshi e ka zanafillën pikërisht nga ngjarja e ndodhur në Angli.

Burime pranë Policisë sqarojnë se më 10 prill të vitit 2012, Arben Lleshi, në atë kohë 25 vjeç, djali i vëllait të viktimës së djeshme, Hajredin Lleshi, vrau Agim Hoxhën, 29 vjeç. Lleshi u kap nga policia italiane një muaj pas vrasjes dhe u dënua nga drejtësia në Angli me burgim të përjetshëm pas ekstradimit. Dënimi për Arben Lleshin është dhënë qershorin e vitit 2013.

Viktima Agim Hoxha u gjet nga policia në makinën e tij, në ndenjësen e pasme, i vrarë. Policia angleze sqaroi se bëhej fjalë për grabitje, ku Hoxha kishte mbetur i vrarë dhe më pas makinës tip “Benz Mercedes” i është vënë flaka për të humbur gjurmët e krimit. Ngjarja është zbuluar nga kamerat e vendosura në rrugën ku ndodhi krimi i rëndë.

Të afërmit e Hoxhës kanë deklaruar se do të hakmerreshin për këtë vrasje. Më 12 tetor 2013, dyshohet se të afërm të Agim Hoxhës kanë vrarë në vendin e quajtur “Pujkë” Xhavit Lleshin, vëllain tjetër të viktimës së dy netëve më parë. Edhe atëherë Policia pati si pistë kryesore hakmarrjen ndaj familjes Lleshi, pas vrasjes së emigrantit Hoxha.

Nëse në rastin e vrasjes së Xhavitit Policia kishte dy pista hetimi, hakmarrjen dhe problemet që viktima kishte pasur me persona të ndryshëm, për vrasjen e Hajredinit, Policia dyshon se kjo është një vrasje për hakmarrje.

Banorë të fshatit, të cilët i dhanë lamtumirën babait të tre fëmijëve, thanë se autorët e të dyja vrasjeve mund të jenë të njëjtë dhe në të dyja rastet i kanë zhdukur makinat që janë përdorur në atentat. Në vitin 2013, makinën e hodhën në liqenin e Shkopetit, ndërsa automjetin që kanë përdorur këtë të diel dyshohet se është ai që u dogj afër fshatit Rukaj./panorama.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: