GREQI- Pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 6,7 ballë të shkallës Righter që goditi mbrëmjen e djeshme Detin Egje pranë bregdetit turk dhe grek, ambasada shqiptare në Greqi jep informacionet e para për të lënduarit dhe viktimat.

Sipas ambasadës sonë në vendin fqinjë mes të plagosurve nga tërmeti nuk ka shqiptarë. Po sipas saj, viktimat e gjetura nën rrënoja janë një shtetas turk dhe një suedez.

Sakaq, edhe ambasadorja e vendit tonë në Greqi, Adriana Hobdari, në një lidhje telefonike me “News24” theksoi se deri më tani nuk ka informacion për shtetas shqiptarë të lënduar.

“Po e ndjekim situatën hap pas hapi”, u shpreh ambasadorja shqiptare.

Po ashtu edhe ambasadori shqiptar në Turqi, Genti Gazheli në një komunikim telefonik me News 24 raporton se nuk ka shtetas shqiptarë të lënduar pas dëmeve që shakatoi tërmenti në Bodrum.

I pyetur për shqiptarët që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në këtë zonë, nëse kanë vendosur të kthehen në Shqipëri pas tërmetit, ambasadori Gazheli tha se do qëndronte në kontakt me autoritetet turke për të mësuar në vijim në lidhje me vendimet e tyre.

Tërmeti u regjistrua në ora 1:31 sipas kohës lokale në thellësi prej 7.8 kilometra, njofton Agjencia shtetërore për menaxhim me kriza (AFAD). Pas tërmetit janë regjistruar edhe 40 dridhje tjera të fuqishme nga 3 deri në 4.6 ballë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb