TIRANË- Një nga ngjarjet më të bujshme të javës ishte dhe kapja e mbi 15 ton drogë në Vlorë. Një sasi kjo rekord e kapur në një operacion ku morën pjesë drejtues të lartë të policisë. Për të dhënë detaje për këtë ngjarje dhe operacionin e policisë ka qenë i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 drejtori për krimet në Policinë e Shtetit Josif Shtëmbari.

Ai deklaroi se zona ku u kap kanabisi nuk ka qenë e skeduar nga policia si zonë e preferuar për kultivimin e narkotikëve, ndërkohë që foli edhe për hetime për efektivët e Policisë së Vlorës.

josif shtem,bari

Lidhur me deklaratat në media se denoncimi për drogën mund të ketë ardhur nga grupe kriminale rivale, Shtëmbari tha se Policia e Shtetit merr informacione nga të gjitha burimet por se për Vlorën, burimet kanë qenë vetëm policore, raporton “BalkanWeb”.

“Policia merr informacione nga të gjitha burimet. Jemi të detyruar të marrim të presim dhe të ezaurojmë të gjitha informacionet që vijnë në drejtime të ndryshme. Në Vlorë të gjitha burimet kanë qenë policore. Janë angazhuar shërbimet në të gjithë territorin”, deklaroi zyrtari i policisë.

Lidhur me arrestimin e kokave të këtij aktiviteti kriminal, Shtëmbari tha se veprat penale për 9 të arrestuarit do të nxirren pas hetimit.

“Tek ky mega operacion kanë qenë 9 persona të arrestuar, dy efektivë dhe një kryeplak. Hetimi mund të nxjerrë dhe konkludojë veprën penale në të gjitha aspektet”, u shpreh ai, shkruan “BalkanWeb”.

Shtëmbari tha se Llakatundi nuk ka qenë i skeduar si zonë për kultivimin e kanabisit dhe kjo gjë ndoshta ka nxitur kultivuesit dhe trafikantët ta zgjedhin për veprimtarinë e paligjshme.

“Vitin e kaluar zona e lumit të Vlorës ka qenë problematike. Ka qenë zonë me risk të lartë në drejtim të kultivimit. Si fshat ku është gjendur kjo sasi e drogës nuk ka qenë i skeduar. Elementët kriminalë që e kanë gjetur si bazë kanë marrë parasysh ndoshta edhe ndonjë mbështetje apo siguri. Forcat e policisë nuk e kanë të skeduar si zonat me risk. Ndoshta kjo është arsyeja që nuk është në raportimet e policisë së Shtetit”, u shpreh ai.

Lidhur me angazhimin e policisë, Shtëmbari tha se që nga 1 janari strukturat në nivel qendror dhe vendor janë të përqendruara për parandalimin dhe bllokimin e këtij fenomeni.

“Policia e Shtetit në të gjitha qarqet e vendit, që nga 1 janari ka hartuar plane masash të përbashkët dhe kanë marrë detyra specifike për të kontrolluar territorin 24 orë. Çdo strukturë vendore ka marrë detyra për të kontrolluar zona të caktuara të territorit. Çdo grup ka drejtues. Këto informacione grumbullohen dhe vijnë në struktura qendrore. Po kështu nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë është krijuar Task-Forcë për të mbështetur vendorët dhe i gjithë territori është nën monitorim. Nga 1 janari e gjithë policia është me një punë voluminoze të paparë”, u shpreh drejtori për krimet në Policinë e Shtetit Josif Shtëmbari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb