TIRANE- Kreu i LSI-së Ilir Meta, nga Komiteti Drejtues i Partisë, përveç thirrjes për dialog mes palëve, me qëllim që vendi të mos shkonte sipas tij drejt një krize, pasojat e së cilës vështirë se i parashikon njeri, foli edhe për një “sakrifikim” që LSI-ja ishte gati ta bënte vetëm që zgjedhjet të ishin demokratike dhe me standarde.

E duke folur për zgjedhjet Meta tha me bindje se edhe nëse ai apo ministrat e tij lënë mandatet, LSI nuk pëson asnjë rrjedhje në zgjedhje.

“Nëse ikën Meta e ministrat, LSI nuk ka asnjë rrjedhje vote, patëm ndonjë humbje në 2013 që ikëm nga PD? Dolëm në opozitë edhe pse në kushte të vështira, u hoqën shumë njerëz nga puna e me radhë. Pas kësaj mbledhjeje, ne të bisedojmë me Ramën për këtë situatë dhe si ne të marrim të gjitha përgjegjësitë që vendi të shkojë në zgjedhje të lira e ta mbyllim këtë histori, kush e nisi e si e nisi, se e vërteta është që filloi në Libofshë atëherë, në ‘94, aty u përdor për herë të parë forca e shtetit për të trysnuar mbi njerëzit, për të bërë presion për votat dhe në atë kohë president ishte Berisha”¬ tha ai.

Për Metën me rëndësi do ishte zgjidhja gjithëpërfshirëse që do i siguronte vendit stabilitet, zgjidhje të shpejtë, të qëndrueshme dhe në interes të demokrasicë dhe Kushtetutës.

“Të qëndrojmë larg nga kërcënimet, të krijojmë vullnet për zgjedhe të lira dhe të ndershme, dëmtimi i tyre dëmton të gjitha reformat dhe do bëhemi të bezdisshëm për komunitetin evropian. Do kërcënonim rolin tonë si faktor stabiliteti në rajon, nëse dëmtojmë demokracinë e vendit. PDIU është e para që ka marrë një nismë ne gadishmëri maksimale, shpresojmë që edhe aktorë të tjerë më të rëndësishëm në këtë situatë të gjykojnë me qetësi, kohë për dashuri do ketë më vonë, (qesh) në mënyrë që ta mbyllim këtë historinë e zgjedhjeve. Të kemi qeveri legjitime, president legjitim”,- tha ai ndër të tjera.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: