PRISHTINE- Në një kohë kur pritet që gjykata e Colmarit në Francë pritet që më 6 prill të marrë vendimin për ish-kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, AAK reagon sërish për lirimin e tij.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehet e bindur se lideri i tyre do të kthehet në Kosovë.
Kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Serbia nuk do të “shërohet” asnjëherë nga fakti se Haradinaj ka qenë njëri ndër “shkaktarët” kryesor që bashkë me aleatët ndërkombëtarë ka arritur që ta largojnë Kosovën nga sundimi dhe nënshtrimi i Serbisë.
“Ndalimi i ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze bazuar në një fletëarrest të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 për ne ka qenë veprim absurd dhe totalisht me prapavijë politike. Autoritetet franceze duhet të jenë të vetëdijshëm që këto fletëarreste nuk kanë të bëjnë me drejtësi por me tendencën e hakmarrjes ndaj Ramushit dhe përmes tij ndaj Kosovës.

Ky absurd nuk duhet të vazhdojë edhe më tutje dhe Haradinaj duhet t’i kthehet e drejta që të lëvizë lirshëm në agjendën e tij personale e politike për Kosovën, si çdo qytetarë i Evropës dhe botës demokratike për vendin e vet”, ka thënë Lekaj. I pyetur rreth mundësisë që gjykata franceze të vendos për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, Lekaj theksoi se çdo ide apo vendim që dërgon në atë rrugë do të ishte më pasoja.

“Për veprimtarinë e Ramushit si luftëtarë i shquar i UÇK-së, e luftën e tij përballë Serbisë e makinerisë se saj vrastare në Kosovë, e ka thënë fjalën e vet Gjykata me e lartë ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, Gjykata e Hagës, në dy raste e me nga dy nivele”, u shpreh Lekaj, duke theksuar se vendimi përfundimtar prapë i mbetët autoriteteve të Francës, por sipas tij nuk ka arsye e argumente se një gjë e tillë duhet me ndodhë.

Tutje, Pal Lekaj shtoi se autoritetet franceze kanë pas “kohën e dynjasë” për t’u marrë me shqyrtimin e shkarravinave të Serbisë dhe tanimë është momenti që kjo maskaradë të marrë epilogun e saj dhe Ramushi përfundimisht t’i kthehet Kosovës i lirë e pa asnjë kusht. “Kosova e mirëpret fitimtarë edhe pas kësaj beteje, njeriun e saj i cili në asnjë rast nuk u ligështua në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtës për Kosovën dhe popullin e vet, si dje ashtu edhe sot, e kurdoherë që ka qenë e nevojshme”, tha Lekaj. Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi Haradinajn me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi. Pas kësaj në seancën gjyqësore më 2 mars, gjykata shtyu marrjen e vendimit për 6 prill.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: