Nga Erjola Jata
Nëse ende nuk keni bërë zhvendosjen e gjendjes civile në zonën apo qytetin ku jetoni, keni edhe 48 orë kohë. Pas 28 korrikut qytetarët që nuk përputhin vendbanimin me gjendjen civile do të gjobiten me 10 mijë lekë të rinj. Në një intervistë për News24 e “BalkanWeb”, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj thotë se kjo vlerë do të vilet në momentin më të parë kur banori të kërkojë certifikatën apo vërtetim lagjeje.

“Në momentin që ai do të paraqitet në sportel me dokumentin e pronësisë të shtëpisë nëse nuk përmbush detyrimet ligjore që brenda 30 ditëve dokumenti i pronësisë të shtëpisë të jetë i lëshuar nga organi kompetent brenda 30 ditësh atëherë shtetasi Bledar Doracaj do të bëhet subjekt i masës administrative gjobë”, tha kreu i Gjendjes Civile.

Por cilat janë dokumentet që duhet të ketë një qiraxhi, student, apo qytetarë për procedurën e ndryshimit të vendbanimit?

“Janë vetëm dy dokumente që një shtetas që duhet të paraqes si student, qiramarrësi, si pronari i shtëpisë apo si çdokush tjetër është ose kontratë qiraje në rastin e qiramarrësit ose kontratë sipërmarrje në rastin e porositësit që ka porositur një objekt një banesë e cila ka mbaruar dhe nuk është hipotekuar, ose certifikatë pronësie. Kemi futur dhe një element tjetër duke ditur që një numër shtetasish kanë banesa në proces legalizimi kemi futur vërtetim nga drejtoria përkatëse e ALUIZNI-t”, shpjegon Doracaj

I pyetur se sa e realizueshme do të ishte shtyrja e këtij afati, Doracaj tha: Kur pritet konstituimi i kuvendit të ri të Shqipërisë ne po shikojmë dhe mundësitë ne jemi thjesht propozues për marrjen e një iniciative për shtyrjen e afatit kjo nuk ka të bëjë me situatën aktuale por thjesht është që ne mund të vlerësojmë. Nuk mund të themi sot sa e realizueshme është shtyrja e afatit ajo që ne mund të themi sot është sa e rëndësishme është zhvendosja e gjendjes civile atje ku banojnë aktualisht”, u shpreh ai.

Ngushtimi i afatit ka shtuar fluksin e aplikimeve ne zyrat e gjendjes civile. Qytetarët kërkojnë që ky afat të shtyhet.
“Kërkojmë shtyrjen pasi është dhe periudhë vere dhe ne kemi qenë dhe me pushime, plus vijnë dhe emigrantët këtë periudhë gushti”, shprehen qytetarët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb