TIRANË- Agron Duka, kreu i PAA-së, ndonëse njëri nga negociatorët e krizës politike nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do pranojë të hyjë në listat e PD-së si deputet apo do garojë nën siglën e partisë së tij. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në “News 24” Duka tregohet i sinqertë kur thotë se: “Ne po tentojmë të shikojmë sa elektorat kemi. Nëse mendojmë që nxjerrim dy apo tre mandate besoj që do hymë vetëm”,- shprehet ai.

Por nga ana tjetër ai nuk i fsheh rezervat që ka për penalizmin e partive të vogla pas marrëveshjes Rama-Basha dhe tregon se të gjitha vërejtët që ka pasur ia ka bërë të ditura liderit të PD-së, Lulzim Basha.

“Po të kisha qenë unë në vend të tij se kisha bërë kurrë. Duke pasur aleatë që të qëndrojnë besnikë nuk më duken normale që të merren këto. Vetëm këtu s’më kishte shkuar mendja që do ishim të penalizuar”,- tha ai.

Ndërsa duke folur për marrëdhënien që ka me Lulzim Bashën, Duka tregoi se ai është nga ata liderë që i pranon vërejtjet.

“Ndjehem lirshëm në diskutim me të, është tip që pranon sugjerime edhe kur kemi bërë debate ka qenë për të mirë të punës. Ka pranuar vërejtjet që i kam thënë publikisht se duhen negociata për të arritur një marrëveshje. I kam thënë të heqë dorë nga qeveria teknike dhe numërimi elektronik. Ne aleatët kemi influencuar shumë që të zbresë nga kërkesat e tij dhe ja ku u arrit”,- tha ai.

Duke tregon se fill pas arritjes së marrëveshjes ka folur në telefon me Lulzim Bashën dhe kanë shkëmbyer urime.

“Ndërsa kur u takuam ditën tjetër bashkë me aleatët dhe na tregoi kushtet e marrëveshjes shpreha pakënaqësinë time për koalicionin”,- tha ai.

Duka bën parashikimin e tij edhe për renditjen e tre forcave kryesore në zgjedhje

“Një gjë di, besoj që PS dhe PD do luftojnë për të qenë forcë e parë dhe LSI do jetë pas tyre”,- shtoi kreu i PAA-së.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: