Nga Fatos ÇOÇOLI
Real-politika është një term i përdorur gjatë në diplomacinë dhe politikën evropiane, sidomos atë gjermane, madje edhe në politikën amerikane të epokës së Henri Kisingerit (1973-1977). Nënkupton ndjekjen e një politike, që merr parasysh gjendjen reale të vendit ku zbatohet dhe interesat afatgjata të zhvillimit të qëndrueshëm të tij. Një politikë e tillë tek ne nuk është zbatuar pothuajse asnjëherë në periudhën e pas shembjes së komunizmit.

Në 27 vitet e fundit gjithnjë kanë mbizotëruar edhe në momente shumë të vështira për vendin (hiq ndoshta marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e Franc Vranickit dhe krijimin e qeverisë së unitetit kombëtar në vitin 1997), krahas mbetjeve ideologjike post-komuniste, pasionet dhe inatet personale të drejtuesve të partive kryesore të vendit. Përgjegjësia ndaj votës së besuar nga qytetarët ka munguar gati tërësisht. Marrëveshja e 18 majit 2017, parë nga të gjitha anët, u shërben interesave të vendit, praktikisht të çdo qytetari shqiptar paqedashës.

Ajo duhet parë si akti i parë i një politike ndryshe, i një politike reale në shërbim të qytetarit. Zakoni ynë për të anatemuar fuqishëm çdo veprim në drejtim të interesit të gjerë publik, duke e degraduar dhe zbritur në baltovinën e kush fitoi personalisht çfarë, përfolja e gjatë që po na kthehet në sport popullor, e kandidatëve të propozuar nga opozita për ministra teknikë (deri edhe tek skenarët “e detajuar” se kush do të vjedhë tenderat e radhës dhe si) është forca e inercisë, që do të na kthejë prapa në politikën e interesit të ngushtë partiak apo vetjak. Duhet ta kuptojmë të plotë edhe frustrimin e opozitës kryesore të vendit këto tre muaj proteste.

Kërkimin mes errësirës, me vetëm llambën e Diogjenit (kërkesën për qeveri teknike) në dorë, të atyre garancive për zgjedhje të lira, të papërlyera nga cunami i marijuanës. Skenari ogurzi i një krize pa fund, me opozitën kryesore të vendit jashtë zgjedhjeve dhe parlamentit të ri, u largua përfundimisht për në koshin e kujtesës. Dy drejtuesit e partive kryesore tek ne treguan se në pak orë mund të zgjidhin një konflikt që rrezikonte të devijonte kursin e Shqipërisë drejt afrimit me Bashkimin Evropian, me një drejtim krejtësisht të papërcaktuar, si dhe të zhyste ekonominë tonë në një rënie të lirë. Nuk ka rëndësi se cilët janë këta teknicienë ministra dhe si do të qeverisin ata. E rëndësishme është që marrëveshja e 18 majit solli paqe dhe qetësim në shpirtin e shqiptarëve. Pavarësisht se disa drejtues partish të vogla bëjnë të ngrysurin sot, me këtë marrëveshje, ekonomisë shqiptare iu kursyen mbi 400 milionë euro humbje nga rënia e ritmit të rritjes ekonomike, nëse opozita do të ishte jashtë zgjedhjeve, nga frenimi i fortë i investimeve të huaja dhe stepja e atyre vendëse, si dhe ulja e konsumit apo e veprimtarisë turistike, vetëm për periudhën qershor 2017-maj 2018! Kjo nuk është pak.

Analizën e plotë mund ta lexoni në GSH.al duke klikuar tek linku:

http://www.gsh.al/2017/05/23/agu-i-real-politikes-shqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: