SHKUP– Kreu i BDI, Ali Ahmeti, pas takimit që realizoi me euro komisarin Johannes Hahn kërkoi nga VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja si palë përgjegjëse për zgjidhjen e krizës, t’i përafrojnë qëndrimet e tyre. Ahmeti me këtë rast tha se nuk është ithtar i marrjes së institucioneve me dhunë, ndaj theksoi se po i jepet mundësi dialogut.

“Energjitë tona janë në vijë të kuqe dhe kërkojmë që palët që kanë përgjegjësi për dalje nga situata VMRO-DPMNE dhe LSDM të përafrojnë qëndrimet dhe të tejkalohet ngecja. Nuk jam ithtar që të hyhet me forcë në institucionet e shtetit prandaj do të presim që çështja të zgjidhet në rrugë institucionale, megjithatë nëse kjo nuk ndodh, ne i qëndrojmë pas marrëveshjes që e kemi bërë me LSDM”, tha Ahmeti, duke shtuar se Hahn nuk ka përmendur sanksione të mundshme eventuale, por është shqyrtuar mundësia e daljes nga kriza përmes dialogut.

Propozimi i komisionarit Han dhe euro-deputetëve ishte që kjo të zgjidhet në rrugë institucionale.

“Kam kërkuar nga Hahn që të vazhdojnë të na inkurajojnë dhe lehtësojnë tejkalimin e dallimeve. Kriza politike të zgjidhet me mjete politike dhe të mos shndërrohet në etnike. Takimin që ne e kishim me zotin Han nuk është bë fjalë për sanksione, por janë shqyrtuar opsionet se si të dilet nga kjo krizë dhe se çfarë duhet të bëjmë ne për të dal nga kjo krizë. Zoti han kërkonte që sa më parë të jetë e mundshme të formohen institucionet e vendit. Çështja e parimit fitues me fituesin, ky moment ka ndodhur diku para 11 vitesh dhe tani ne kemi pasur dallime të pakapërcyeshme me VMRO-DPMNE-në dallime të cilat deri në atë situatë që ne të mos dakordohemi për të vazhduar më tej qeverisjen e vendit. Tani do të shihen gjërat në interes të vendit”, deklaroi lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: