Akademia e Forcave të Armatosura ka nisur sot vitin e ri akademik, duke punuar me kapacitet të plotë për të gjitha kurset e karrierës së ushtarakut, kurset e gjuhëve të huaja, si dhe ato akademike, që ndiqen nga 377 ushtarakë. Në ceremoninë e rastit, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheliu shpreh se “tashmë mbas dy vitesh sistemi ynë arsimor po i rikthehet lavdisë së viteve më përpara, ai është baza nga ku niset çdo sukses i ushtarakëve të çdo karrieret. Ndaj sot në mënyrë të veçantë jam krejt e lumtur dhe besimplotë se ky ndryshim që bëmë në sistemin tonë të arsimit dhe edukimit profesional do të ketë rezultatet dhe frytet e veta, të cilat po ndihen sot ashtu siç do të ndihen më shumë vite më mbrapa”.
“Sot kemi miratuar konceptin e arsimit professional bazuar në një filozofi të re në përputhje të plotë me edukimin profesional ushtarak të vendeve të NATO-s, si dokumenti themelor dhe kushtetuta e arsimit profesional ushtarak. Përgatitja e dhe hartimi i currikulave të reja mësimorë në Akademi dhe institucione të tjera janë sot të njësuar me ata të kurseve të vendeve perëndimore të NATO-s, por edhe përgatitja e Librit Stërvitor ishte një tjetër arritje të cilën ne duhet ta përmëndim me krenari në këtë ditë hapjeje”, u shpreh ministrja Kodheli.
Ministrja e Mbrojtjes tha se si rezultat i këtyre masave, janë bërë disa ndryshime të qenësishme, cilësore dhe sasiore, “që ndodhin dhe do të ndodhin në sistemin tonë të arsimit”.
Në të gjitha institucionet e KDS arsimohen dhe trajnohen sot një përsonel me mbi 2410 vetë, ose më shumë se 25% e të gjithë efektivit të FA, duke qenë në të njëjtin nivel me vendet e NATO-s, ku rreth 30 për qind e personelit kalon në kurse të ndryshme trajnimi brenda vitit. “Një gjë e tillë është dëshmi e kapacitetit dhe aftësisë së FA-së për të trajnuar, edukuar dhe freskuar personelin e saj në interes të realizimit të misionit tonë fisnik”, tha ministrja.
“Të gjitha këto janë hapa të sigurtë drejt një sistemi, i cili do të mundësojë rritjen cilësore dhe profesionale të FA, pa të cilët ne nuk mund as të kryejmë misionet tona fisnike kushtetuese, detyrimet tona ligjore ndaj atdheut dhe ndaj shoqërisë tonë, as detyrat që na parashtron mbrojtja kolektive si vend i denjë i organizatës më të fuqishme politiko-ushtarake, asaj të Atlantikut të Veriut. Unë ju uroj suksese dhe shpresoj shumë që të mund të kemi mundësinë që vitin tjetër të vijmë dhe të paraqesim bashkërisht rezultate të tjera, gjithnjë e më të mira”, përfundoi fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes Kodheli.
Gjatë vitit akademik 2015-2016 në auditoret e AFA do të arsimohen dhe kualifikohen 109 kursantë në KLSM, KLO, KKSHP, KTHOSH (dy edicione tetor 2015, mars 2016) dhe 225 kursantë në Qendrën e Gjuhëve të Huaja, te cilët zhvillojnë kurse në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, turqisht dhe greqisht.
Gjithashtu AFA vijon realizimin me sukses të Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me një efektiv prej 20 vetash nga FA Shqiptare, FSK, vendet e rajonit dhe institucionet e tjera të vendit tonë.
Gjithashtu gjatë këtij viti akademik në Qëndrën e Simulimit, në bashkëpunim me kompaninë “CUBIC”, janë planifikuar stërvitje me KLO, KKSHP, Kursin Themelor të Oficerit të Shtabit etj. E gjitha kjo punë është planifikuar në harmoni të plotë me Direktivën e ministrit të Mbrojtjes, udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm, Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe me programet që zhvillohen për këto nivele në kolegjet respektive të vendeve të NATO-s.
(el.sp/BalkanWeb)