ELBASAN- Dy aksidente kanë ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në Elbasan dhe Lezhë ku kanë humbur jetën një vajzë 11-vjeçare dhe një efektiv policie.

Sipas të dhënave zyrtare në aksin rrugor Cërrik-Papër, në fshatin Valas ka dalë nga rruga mjeti tip “Ford” veturë me targa AA 503 KN që drejtohej nga shtetasi A.H., 54 vjeç banues në Sarandë. Si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasja M.SH., 11 vjeçe banuese në Korçë e cila ka qenë pasagjere në mjet.

Gjithashtu janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin Kirurgjik Elbasan vetë drejtuesi i mjetit dhe dy shtetaset që ishin pasagjere në mjet konkretisht:
A.SH., 54 vjeçe, banuese në Korçë dhe K.SH., 74 vjeçe banuese në Sarandë.

Shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore dhe procedurale.
Në Lezhë në orën 05:08, është marrë njoftim se në autostradën Lezhë- Shkodër, në afërsi të Kryqëzimit të Kallmetit, ka ndodhur një aksident rrugor.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar se kishte dalë nga rruga mjeti tip “Benz”, ku për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, shtetasi Lek Nikolli, 50 vjeç, punonjës i policisë kufitare në Shëngjin, i cili udhëtonte i vetëm.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb