TIRANE– Si pjesë e reformës kombëtare të ujit për prerjen e lidhjeve e paligjshme, specialistët e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë po vijojnë aksionin edhe në zonat periferike, për disiplinimin e situatës.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, ndoqën nga afër verifikimet që po kryhen në zonën e Paskuqanit, ku edhe po bëhet ndërprerja e lidhjeve të paligjshme nga tubacioni kryesor që furnizon me ujë të pijshëm rreth 30% të qytetit të Tiranës.

“Këtu jemi në një linjë të veçantë, ajo që njihet si linja 1200, që furnizon gjithë qytetin. Ndaj, shprehim vendosmërinë e ujësjellësit, por edhe të Bashkisë së Tiranës, për ta vijuar në mënyrë të vijueshme këtë aksion dhe për të verifikuar të gjitha linjat e për t’i ndërprerë ato”, theksoi Mazniku, teksa shtoi se ndërhyrjet e paligjshme jo vetëm që sjellin dëme të konsiderueshme në rrjetin e furnizimit me ujë të qytetit të Tiranës, por njëkohësisht mund të shkaktojnë probleme edhe për vetë ata të cilët kanë ndërhyrë në rrjet në mënyrë të paligjshme.

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga 31 janari, Mazniku u bën thirrje qytetarëve, të cilët nuk kanë formalizuar ende lidhjen e tyre, të paraqiten pranë pikave të kujdesit ndaj klientit, ndërsa nga 1 shkurti, grupet e taks-forcës do të jenë në terren për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që abuzojnë me këtë pasuri publike si uji i pijshëm.

“Ftojmë qytetarët që deri në datën 31 janar të vetëdeklarojnë linja të tilla, në mënyrë që të kemi mundësi t’i riparojmë ato, sepse duke filluar nga data 1 shkurt, identifikimi i këtyre linjave dhe prerja e tyre do të ketë edhe penalitete shumë të forta gjatë të gjithë kundravajtësve”, tha ai.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve të Tiranës për të raportuar për çdo problematikë apo rast të abuzimit me ujin e pijshëm.

“Nëse një qytetar ka informacion për një lidhje të tillë apo e ka bërë vetë një lidhje të tillë më përpara, të na informojë dhe do jemi shumë të gatshëm të gjendemi pranë. T’i ndërpresim këto lidhje dhe të ofrojmë mundësinë që ato të lidhen me një ujëmatës dhe një kontratë të ligjshme me ujësjellësin. Kjo është e vetmja mënyrë se si edhe qyteti të furnizohet me ujë siç duhet, por edhe qytetarët të marrin shërbimin e duhur”, nënvizoi Mazniku.

Për shkak të fluksit të shtuar të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar që të aplikojnë për kontratë të re me Ujësjellësin e Tiranës, si dhe konsumatorët që janë të interesuar të kryejnë pagesa apo të përfitojnë nga skema lehtësuese e shlyerjes së debisë, shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka vendosur orare të reja shërbimi në të gjitha Njësitë Zonalë, PIKAT UKT, si dhe në arkat kryesore të qytetit. Sportelet do të jenë të hapura nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 20:00, nga e hëna në të shtunë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: