VLORE- Gjykata e Vlorës do të marrë vendimin përfundimtar në 27 korrik, ndaj ish kreut të bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ndaj të cilit rëndojnë 4 akuza: falsifikim i dokumenteve zyrtare, shpërdorim detyre, ndërtim i paligjshëm dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Për këto akuza prokurori Kuliçi, në pretencën e datës 28 qershor, kërkoi 9 vjet burg. Ndërkohë që në seancën e së enjtes, trupi gjykues i përbërë nga Mirela Mishgjoni, gjyqtare, Arbana Selmanaj, gjyqtare, dhe Laurent Fucia, gjyqtar-relator për çështjen, caktoi datën 27 korrik për marrjen e vendimit, raporton GSH.al. Akuza përfaqësohej nga prokuror Albert Kulici, ndërsa të pranishëm në sallë ishin të katër të pandehurit, Shpëtim Gjika, Doriana Sulaj, Artur Haxhi dhe Ridvan Mersinaj, ky i fundit në cilësinë e pronarit të truallit.

Ardian Leka, avokati mbrojtës i Gjikës kërkoi pafajësi për ish-kryebashkiakun e Vlorës ndërsa e konsideroi akuzën si përpjekje për të përfshirë në vetë të pare ish kreun e Bashkisë së Vlorës, duke anashkaluar sipas tij qëllimshëm padinë fillestare ngritur nga familja Osmënaj, e cila mund të trajtohej si padi civile. Shpëtim Gjika u prangos në vitin 2016, i akuzuar për falsifikim dokumentesh në dhënien e lejeve për ndërtime të paligjshme në qytetin bregdetar por më pas gjykata vendosi hetimin dhe vijimin e procesit gjyqësor në gjendje të lirë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: