TIRANE– Administratori i Njësisë Bashkiake numër 2 në Tiranë, Elez Gjoza, ka reaguar pas akuzave në adresë të tij për regjistrime fiktive të 60 qytetarëve. Në një deklaratë për media, Elez Gjoza ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato qesharake.

“Akuza të pavërteta ndaj meje. Akuza për regjistrime fiktive nuk është e vërtetë. Edhe akuza e dytë po ashtu, për punë në këmbim të votës. Unë nuk kam tagrin ligjor për punësime në këmbim të votës. Edhe sekretaren e emëron kryetari i bashkisë. Edhe akuza e tretë për pjesëmarrje në fushatë është qesharake. Unë nuk bëj fushatë deri në orën 4 se jam në shërbim të qytetarëve, por pas kësaj orë do bëj fushatë.Duke qenë përpara kamerave i bëj thirrje ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili mbolli gjithë Shqipërinë me hashash. Ju do të shkoni pas hekurave dhe jo administratori që i shërben me mish dhe me shpirt qytetarëve. Nuk më tremb dot. Unë dhe ish-ministri i hashashit për koicidencë ishim në një takim në senatorium. Dhe ai u terrorizua nga pjesëmarrja e LSI. Ndaj vjen dhe ky denoncim nga policia, nga Tahiri që mbolli dhe bahçen e vet me hashash”, tha Gjoza.

Sakaq, ai ka hedhur akuza ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Dhe thotë se akuzat ndaj tij janë për shkak të raporteve jo të mira me ish-ministrin Tahiri.

“Ministri i hashashit t’i lërë presionet ndaj meje. Nuk më tremb dot. Mbolli hashash edhe në bahçen e vet”, tha Gjoza.

Sakaq, ai i ka kërkuar ministrit aktual në Ministrinë e Brendshme që “të verë në shina situatën e krijuar në vend”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: