Kandidati për deputet i LSI-së në Shkodër, Dritan Ylli është kundërpërgjigjur me një status në Facebook pas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë se ka kërkuar hetime ndaj tij dhe Agron Çelës për pjesëmarrje në një skemë emërimesh fiktive në burgun e Shkodrës.

Kanditati i LSI-së ka sulmuar ministrin e Drejtësisë, duke i cilësuar si shpifje pretendimet e tij. “Genjeshtrat, shpifjet dhe mashtrimet e Ministrit te Drejtesise, s’mund te fshehin gjendjen katastrofike te PD ne Shkoder, te krijuar nga perjashtimi i figurave kryesore te saj !” shkruan Ylli.

Statusi i plotë

Nje sqarim per ministrin Bardhi, te paditur per shkelje te ligjit !

Genjeshtrat, shpifjet dhe mashtrimet e Ministrit te Drejtesise, s’mund te fshehin gjendjen katastrofike te PD ne Shkoder, te krijuar nga perjashtimi i figurave kryesore te saj !

Gjithshka thuhet ne adrese te kandidateve te LSI ne qarkun Shkoder, eshte vetem nje sajese e turpshme dhe nje spekullim, pas te cilave kerkon te fshihet ministri i paditur per shkelje te ligjit.

Ministri i Drejtesise do te jape llogari per te gjithe shkarkimet e paligjshme qe po ben, per te cilat duhet te paraqitet te jape shpjegime ne Prokurori !

Me 26 Qershor ai do te ike me turp nga puna dhe te gjithe te pushuarit padrejtesisht nga ai, do te rikthehen ne vendet e punes.

LSI nuk e ndal nga askush vrullin e saj drejt forces se pare, te dielen e ardhshme dhe nuk bie pre e presioneve apo shantazheve mashtruese te asnje tekniku apo politekniku, kudo qofte ai !

Deklarata e plotë e Ministrisë së Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë përfundon hetimin administrativ dhe denoncon në prokurori skemën e mashtrimit me rekrutimet në stafin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër.

Ministri i Drejtësisë urdhëron kallëzimin në Prokurori të ish-drejtuesve dhe nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të përfshirë në këtë skemë mashtrimi, si dhe pezullimin apo shkarkimin e menjëhershëm të tyre nga detyra.

Ministri i Drejtësisë kërkon hetim penal ndaj z.Ardit Hotaj, me funksion politik–Koordinator i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Malësinë e Madhe, si dhe verifikimin e rolit të kandidatëve për deputet për Qarkun Shkodër z. Agron Çela dhe z. Dritan Ylli në këtë proces.

Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, ka urdhëruar ditën e djeshme fillimin e një hetimi të plotë administrativ, për të sqaruar rrethanat mbi procesin e rekrutimit fiktiv të stafit të IEVP Shkodër, nga ku ka rezultuar se: Nëpërmjet një procesi të rremë dhe të paligjshëm, ish-drejtues dhe punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, janë përfshirë në një skemë mashtrimi të qytetarëve, duke krijuar perceptimin e gabuar se janë punësuar në IEVP Shkodër, që pritet të hapet në muajt në vijim, apo se ata janë në proces emërimi.

Ministria e Drejtësisë sqaron se nuk është kryer asnjë pranim apo punësim në IEVP Shkodër. Çdo premtim apo deklarim lidhur me këtë çështje është mashtrim për qëllime elektorale. Urdhri me nr. 297/2 Prot., datë 24.05.2017, është pjesë e një skemë mashtrimi të qytetarëve, nuk është ligjërisht i vlefshëm dhe nuk rezulton të jetë protokolluar ndonjëherë rregullisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Ai është prodhuar dhe shfaqur në mediat lokale të qytetit të Shkodrës, për të krijuar perceptimin e rremë se qytetarët po punësohen, duke e përdorur këtë proces për qëllime të përfitimit të padrejtë politik në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 Qershor 2017.

Ministria e Drejtësisë informon të gjithë personat që u është deklaruar se janë punësuar në IEVP Shkodër, se janë mashtruar dhe duhet të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për vënien përpara përgjegjësi penale të personave përgjegjës të kësaj skeme mashtrimi.

Në përfundim të këtij hetimi administrativ, Ministri Bardhi ka urdhëruar ditën e djeshme Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve që të bëjë menjëherë kallëzimin penal të këtij rasti në organin e Prokurorisë dhe në Policinë e Shtetit, si dhe të pezullojë apo shkarkojë nga detyra të gjithë nëpunësit përgjegjës.
Në këtë drejtim,z. Bardhi falënderon Policinë e Shtetit dhe organin e Prokurorisë për veprimin e menjëhershëm, si dhe i inkurajon ato në vijimin e hetimit të plotë dhe efikas të këtij rasti.

Gjithashtu, z. Bardhi pasi është njohur me deklarimet në media të z. Ardit Hotaj, me funksion politik, koordinator i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Malësinë e Madhe, si dhe me spotin televiziv të shfaqur në një media lokale, ku evidentohet roli i kandidatit për deputet z. Agron Çela në këtë proces, i ka kërkuar organit të Prokurorisë hetimin e tyre për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”,të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Për të njëjtën arsye, është referuar në prokurori edhe kandidati për deputet z. Dritan Ylli, i cili në një prononcim në media, ka deklaruar se punësimi është i rregullt dhe fituesit janë shpallur në faqen zyrtare në internet të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, fakt që është i pavërtetë.

Për pasojë, këta shtetas, nëpërmjet veprimeve apo deklarimeve të tyre, dyshohen se kanë luajtur rol në krijimin e perceptimit të rremë tek qytetarët për punësimin e tyre në IEVP Shkodër, në këmbim të mbështetjes për një forcë të caktuar politike.

Ministria e Drejtësisë sqaron se procesi i rekrutimit të stafit të IEVP Shkodër, do të nisë ligjërisht pasi të jenë përfunduar punimet në këtë institucion. Ky proces do të kryhet në përputhje të plotë me ligjin, dhe se do të ndiqet me vëmendje maksimale nga Ministri i Drejtësisë z. Bardhi, duke garantuar qytetarët se do të jetë një proces transparent dhe i bazuar vetëm në meritë.

Asnjë forcë politike nuk mund të përdorë dhe nuk do mund të përdorë këtë veprimtari institucionale për qëllime politike. Ministria e Drejtësisë fton çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve, duke qenë garant i zbatimit korrekt të ligjit.

Ministri Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo tentativë përdorim të paligjshëm që i bëhet veprimtarisë institucionale të Ministrisë së Drejtësisë, nga subjekte zgjedhore.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb