TIRANE– Një punonjës policie është arrestuar nga Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Tiranë, pasi akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën.

Në pranga ka rënë punonjësi i policisë Baki Ballhysa, me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë pikës së bllokimit të automjeteve të sekuestruara, në Komisariatin e Policisë Kavajë.

Ndalimi i punonjësit të Policisë Ballhysa u bë ditën e sotme, pas urdhrit të Prokurorit, për veprën penale ‘’Vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës’’.

“Punonjësi i policisë Baki Ballhysa, prej një muaji ishte nën hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, në kuadër të referimit penal dërguar nga ana e SHÇBA-së në datë 14 prill 2017, pasi dyshohej se gjatë ushtrimit të detyrës kishte marrë një telefon celular, nga një automjet i përfshirë në një aksident me pasojë vdekje në datën 1 mars 2017”- thuhet në njoftimin e policisë.

Mësohet se telefoni tip ‘Samsung J5’ i përkiste shtetases J.T që humbi jetën në 1 mars si pasojë e aksidentit.

Pas ankesave të familjarëve të viktimës të cilët konstatuan se të afërmes së tyre i mungonte celulari, përmes IMEI telefoni iu gjet policit të arrestuar, i cili ja kishte dhënë për përdorim vajzës së tij.

Nga hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorinë Kavajë u bë i mundur gjetja dhe sekuestrimi i telefonit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: