Ibra nuk njeh humbje, as në gjykatë. Ulf Karlson, ish-përgatitësi i kombëtares suedeze të atletikës, është dënuar për shpifje nga gjykata e Karlshtadit dhe duhet t’i paguajë një gjobë prej 24 mijë koronash (afro 2500 euro) sulmuesit, pasi e akuzoi se gjatë viteve te Juventusi 2004-’06 kishte përdorur substanca të ndaluara.

“Kur luante te Juve shtoi 10 kg në 6 muaj. Sipas meje ishte i dopuar, të paktën kjo është përshtypja ime, sepse është e pamundur që marrësh kaq shumë kilogramë masë muskulore në kaq pak kohë”, tha ai.
Ulf-Karlson-490x373
Kohët e fundit, Karlson u përpoq të korigjonte atë çka kishte shprehur: “Jam shprehur në mënyrë të pasaktë dhe pavend. Vetëm tani e kuptoj se ajo që kam thënë mund të interpretohet në tjetër mënyrë dhe më vjen thellësisht keq, sepse nuk ishte qëllimi im”.

Pavarësisht tërheqjes së Karlson, Ibra nuk e lë me kaq. Bomberi e hodhi në gjyq dhe gjykata suedeze i vlerësoi si akuza të forta këto deklarata, duke i dhënë të drejtë sulmuesit dhe dënuar Karlsonin për shpifje.

“Edhe pse deklaratat e tij nuk përmbajnë akuza të drejtpërdrejta se Zlatan Ibrahimoviç ka marrë steroide, gjykata i vlerëson këto deklarata, duke marrë parasysh kontekstin në të cilat ato janë bërë, si pretendime se Zlatan Ibrahimoviç ka marrë steroide gjatë qëndrimit të tij te Juventusi”, thuhej në verdiktin e gjykatës.

Ai i shpëtoi dënimit me burg, sepse ligji suedez ofron lehtësira nëse deklarata të tilla bëhen për gazetarët (intervistën e dha për një gazetë suedeze). “Jam i kënaqur që gjykata vendosi për të mos e dënuar për ato që i tha një gazetari”, deklaroi avokati i Karlsonit, Johan Erikson.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb