NGA IV KALOÇI*

Sot ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, po botojmë të plotë një relacion sekret të vitit 1973, drejtuar njërit prej Sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së, Qemal Myrselit, nga Sekretari i Komitetit të Partisë për rrethin e Mirditës, Jovan Bardhi, lidhur me shtypjen e revoltës së të burgosurve në kampin e Spaçit nga efektivët e repartit 303. I ndërtuar në mesin e vitet ’60, kampi i Spaçit, i pozicionuar në një nga zonat më të izoluara të rrethit të Mirditës, do të shërbente për plot 25 vjet si një nga institucionet më të tmerrshme të “Riedukimit” për sa u përket kushteve të punës dhe shkeljes së të drejtave themelore të njeriut.

Sipas dëshmive të kohës, por edhe së fundi sipas disa dokumenteve arkivore të nxjerra në dritë, tregohet qartë, që shkaqet e vërteta të shpërthimit të revoltës së të burgosurve në kampin e Spaçit do të ishin pikërisht këto kushte tejet të rënda të punës dhe vuajtjes së dënimit nga ana e tyre si dhe aspekti i brutalitetit ekstrem të përdorur nga administrata e kampit.

E zhvilluar në datat 21-23 maj të vitit 1973, revolta e kampit të Spaçit do të trondiste nga themelet në tërësi sistemin e “gulagëve shqiptarë” si dhe do të vinte totalisht në alarm jo vetëm administratën e kampit, por edhe qeverinë dhe veçanërisht Ministrinë e Brendshme, e cila do të niste vetë zv.ministrin e Brendshëm, Feçor Shehun në Mirditë për të menaxhuar situatën. Por kjo kryengritje e të dënuarve të këtij kampi do të shtypej brenda 72 orëve me egërsinë më të madhe nga efektivët policorë të repartit 303 të ruajtjes së kampit (kazermat e të cilëve ndodheshin vetëm 500 metra larg hyrjes së kampit), si dhe nga batalionet e çetave territoriale vullnetare, të cilat menaxhoheshin po nga MPB-ja.

Për pasojë, katër të dënuar, Dervish Bejko, Hajri Pashai, Pal Zefi dhe Skënder Daja, të cilët do të akuzoheshin nga gjyqi i improvizuar ushtarak në ambientet e burgut si iniciatorët kryesorë të nisjes së kësaj revolte, do të dënoheshin me vdekje dhe do të pushkatoheshin në periferi të zonës së kampit(eshtrat e tyre ende nuk janë gjetur). Gjykata Ushtarake, e kryesuar nga gjykatësi Hilmi Telegrafi, ndihmësgjyqtar Ymer Aliko dhe prokuror Mit’hat Goskova, do të jepte gjithashtu dënime tejet “drakoniane” edhe për rreth 30 të dënuar të tjerë pjesëmarrës aktivë në revoltë, të cilat varionin nga 25 vjet e deri në burgime të përjetshme.

Por aspekti më tronditës i paraqitur me hollësi në këtë dokument do të jetë, pa dyshim, interesi i veçantë i treguar nga instancat e larta të KQ të PPSH-së për “kujdesin e veçantë ndaj gjendjes fizike dhe emocionale” të efektivit të repartit 303 si dhe të pjesëtarëve të çetave territoriale vullnetare të rrethit të Mirditës, të cilat menaxhuan me “shkathtësi dhe sukses të plotë” gjendjen e nderë në ambientet e kampit.

Relacioni në fjalë tregon dhe analizon qartë të gjitha shkaqet e shpërthimit të revoltës si dhe masat tejet represive të ndërmarra nga MPB-ja, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë si dhe nga administrata e repartit 303 të Spaçit. Shkaqe dhe analiza, të para kësaj here me syrin e vetë atyre që e shtypën me egërsinë më të madhe këtë revoltë, ku kërkesa kryesore e së cilës do të ishte respektimi i të drejtave themelore të njeriut.
…………………………………………………………………………………………………………………
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE SEKRET
KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT Rrëshen, më 8.6. 1973
MIRDITE
Nr. 355 Prot.

KONKLUZIONE
TE BYROSE SE KOMITETIT TE PARTISE SE RRETHIT MIRDITE “MBI NGJARJET E DATES 21-23 MAJ 1973 NE KAMPIN E SPAÇIT
Byroja e Komitetit të Partisë së rrethit, më datë 4.6.1973, mbas analizave që bënë Organizatat e Partisë të repartit 303 dhe të anës së Sigurimit, thirri në raport Byronë e Partisë dhe kuadrot drejtues të degës së Punëve të Brendshme dhe të repartit. Nga analizat në të dyja Organizatat e Partisë dhe nga shqyrtimi që bëri byroja, del se ndër shkaqet kryesore që çuan në atë gjendje të rëndë janë:

1. Intensifikimi i veprimtarisë armiqësore në radhët e elementëve të dënuar për veprimtari kundër pushtetit popullor.
Ky element e intensifikoi punën e tij armiqësore sidomos gjatë këtij viti, duke ushqyer iluzione nga propaganda e shteteve imperialiste dhe revizioniste, e Vatikanit etj. Kështu kanë hedhur dhe shkruar parulla se “vendi ynë ka mbetur i izoluar”, se “këtyre u është ngushtuar rrethi”, se “populli është i pakënaqur” etj. Janë përpjekur të pengojnë pjesëmarrjen e të burgosurve në punë, të bëjnë organizime, të nxisin arratisjet etj. Me gjithë masat e marra për evidentimin e dokumentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie, ajo ka vazhduar të intensifikohet, derisa më datë 21 maj 1973, duke shfrytëzuar si shkak arrestimin e një të burgosuri, ajo shpërtheu.

2. Mosvlerësimi në shkallën që kërkohet të veprimtarisë së këtij elementi, në uljen e vigjilencës revolucionare, në mosthellimin sa duhet në masat operative, në manifestimet e koncepteve se “këta të dënuar janë”, iu lë shteg lëshimeve deri në ngritjen e këtij elementi.
Kështu, masat operative nuk kanë qenë kurdoherë të thella dhe të gjithanshme për zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e veprimtarisë së mprehtë armiqësore të këtij elementi, nuk janë vlerësuar sa duhet të dhënat, e si rrjedhim ka pasur zvarritje, nuk janë ndjekur me precedencë për të thelluar demaskimin e goditjen e kësaj veprimtarie në radhët e të dënuarve.

3. Shfaqjet e liberalizmit, të indiferentizmit në punë për zbatimin e normave, urdhrave dhe udhëzimeve me të dënuarit.
Marrëdhëniet midis efektivëve dhe të dënuarve nuk kanë qenë në shkallën që kërkohet, kërkesa e llogarisë nuk ka qenë nga të gjithë njëlloj, u është lënë shteg liberalizmit dhe ekstremizmit. Disa raste janë zgjidhur me vetëgjyqësi duke vepruar vetë personi. Janë bërë lëshime nga komanda e repartit, ka pasur qëndrime liberale ndaj të dënuarve, kundrejt të cilëve nuk është mbajtur qëndrim i prerë dhe nuk janë marrë masa të rrepta ndëshkimore kur ata nuk janë bindur, kur kanë ofenduar ose dhe kur kanë goditur policët. Ka pasur dhe raste që, si policët, edhe oficerët, kanë marrë masa ekstreme ndaj të burgosurve, kanë futur në biruca pa lajmëruar komandën, kanë goditur të burgosurit etj. Shkelje të rregullave të kampit ka pasur edhe për materialet që nuk duhen brenda. Kështu, të burgosurve u janë gjetur sende të ndaluara, si thika, hekura, vegla pune, kazma dhe lopata etj., të cilat, gjatë revoltës një pjesë e të dënuarve u përpoqën që t’i shfrytëzojnë kundër efektivit dhe policisë.

4. Ka munguar informacioni sistematik, i shpejtë dhe në kohën e duhur.
Në metodën e punës së komandës së repartit 303, ashtu dhe të organizatës së Byrosë së Partisë, si brendapërbrenda në marrëdhënie shërbimi në këtë repart, ashtu edhe nga reparti në Degë, nuk ka funksionuar si duhet informacioni. Kështu që, megjithëse çdo ditë nuk dalin në punë 7-8 të dënuar pa arsye, ose më datë 30 maj nuk kishin punuar rreth 30 për qind e të dënuarve, ata nuk kishin njoftuar fare. Edhe në drejtim të Komitetit të Partisë informacioni ka qenë shumë i dobët. Në rastin e ngjarjes kur në kamp kishin filluar çrregullimet nga të burgosurit, jo vetëm që Komiteti i Partisë u informua me vonesë, por edhe me konkluzione se nuk ekziston rreziku. Këto kanë ardhur nga nënvleftësimi e mosthellimi mbi veprimtarinë armiqësore në kamp, duke ushqyer konceptin se “këta s’kanë ç’bëjnë, të rrethuar i kemi”.

5. Mungesë në punën për edukimin, aftësinë e kuadrit dhe të efektivit të shërbimit që ka reparti i riedukimit.
Disa kuadrove u mungon përgatitja ushtarake-profesionale, dhe kjo ka influencuar negativisht në kryerjen e detyrave, për rritjen e vigjilencës e për zbatimin e ligjshmërisë. Kështu, shefi i stërvitjes, disa komandantë toge dhe sidomos policët nuk kanë përgatitjen e nevojshme; këta të fundit janë marrë në shërbim pa kaluar në asnjë kurs. Shumica e kuadrove, me përjashtim të komisarit të repartit, kanë shfaqur mendime, kanë bërë kërkesa për t’u larguar nga ky repart, si vend i keq, dhe për t’u transferuar në vende të tjera. Të gjitha këto dhe të tjera mendojmë se ishin shkaqe të forta që çuan në moszbulimin e revoltës së të burgosurve dhe mosparandalimin e saj në kohë. Revolta u shfaq me gjithë karakteristikat e egërsisë së elementit armik, siç ju kemi njoftuar me informacionin tonë të datës 24.5.1973.

Dokumenti i Sigurimit: Çetat vullnetare vepruan lart profesionalisht
Prandaj nuk po shënojmë veprimet e tyre, parullat që u përdorën dhe të tjera. Me masat që u morën nën drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, revolta u shtyp me sukses dhe për nxitësit e saj e të tjerë u morën masa dhe iu dhanë drejtësisë së popullit. Gjatë punës për shtypjen e saj, të gjithë kuadrot, policët, ushtarët e repartit, të degës si dhe atyre reparteve që erdhën për ndihmë, treguan vendosmëri, shpirt sakrifice, palodhshmëri dhe vigjilencë të lartë.

Byroja konkludoi se ka pasur plotësisht mundësi të evitohej ngjarja në qoftë se do të ishin zbatuar si duhet kërkesat e rregullores dhe normave që normojnë punën e punonjësve të Sigurimit e të Policisë në degën e Punëve të Brendshme dhe të komandës së repartit 303 të riedukimit në Spaç. Për ngjarjen dhe dobësitë e vërtetuara Byroja nxori përgjegjësinë e Organizatave të Partisë, të kuadrove drejtues, të degës dhe të repartit 303, si dhe përgjegjësinë e vet kolegjiale. Ajo kritikoi rëndë Organizatën e Partisë të repartit 303, që drejtohet nga Shahin Skuraj, i cili është dhe Komisar i këtij reparti.

Kjo organizatë nuk ka ushtruar kompetencat e saj për të udhëhequr punën në repart, ka lejuar që te kuadrot drejtues të komandës të ulet vigjilenca revolucionare, të lejohet shkelja e rregulloreve ushtarake dhe e ruajtjes së të dënuarve, të mbivlerësojë masat e tyre dhe të nënvlerësojë veprimtarinë e armiqve, dhe për këto e të tjera nuk i ka vënë këta kuadro para përgjegjësisë së Partisë. Ajo nuk është ndalur në konceptet e disa oficerëve që e shohin qëndrimin e tyre si të përkohshëm në këtë repart: pak është ndalur në punën për edukimin ideopolitik të oficerëve dhe të policëve, sidomos për të mos lejuar që të zinte vend koncepti se “armiqtë në tela i kemi dhe s’kanë ç’na bëjnë”.

Byroja e Komitetit të Partisë aprovoi “Vërejtjen me shënim në kartën e regjistrimit” për Komandantin e repartit Haxhi Gorën dhe komisarin Shahin Skurën. Kritikoi rëndë punën e Organizatës së Partisë të anës së Sigurimit në Degën e Punëve të Brendshme, e cila nuk i ka kërkuar llogari kryetarit, zëvendësit të tij për anën e Sigurimit, për zbatimin e rregullores së firmosur nga ministri që Organet e Punëve të Brendshme në rreth i bën përgjegjës për sigurimin e të dënuarve, për punën operative dhe riedukimin. Kontrolli i komunistëve drejtues të Degës mbi komandën e repartit që siguron të burgosurit, ka qenë i dobët dhe i ka lejuar ata që të mos zbatojnë plotësisht rregulloren.

Komunistët që drejtojnë punën operative me të dënuarit nuk i kanë vlerësuar në shkallën e duhur të dhënat mbi gjendjen e veprimtarisë armiqësore të të dënuarve dhe kjo solli (ndonëse revolta ishte e parapërgatitur) që shkalla e njohjes nuk ishte e tillë që të evitonte gjendjen dhe të merreshin masa për ta parandaluar atë. Pra ka mjaft dobësi puna zbuluese. Kjo organizatë nuk është ndalur në konceptin që kishin drejtuesit e degës se “kampin e kemi që nga 1968-ta dhe nuk na ka ndodhur gjë”. Ata nuk i kanë parë dobësitë në radhë të parë te vetja e tyre sesa te të tjerët.

Byroja e Komitetit të Partisë aprovoi masën “Vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit” për kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, shokun Pandi Kita si dhe për zëvendësin e tij, shokun Mark Deda. Byroja kritikoi shokun Pandi Kita dhe porositi që të ndalet fort në problemet kryesore të Sigurimit, pasi pak merret vetë dhe më shumë ia lë zëvendësit të tij, se edhe të metat më të mëdha gjatë këtyre ngjarjeve, dolën për anën e zbulimit të veprimtarisë armiqësore në kamp. Byroja kritikoi Byronë e Partisë në Degë që nuk ka ushtruar kontroll të thellë dhe nuk ka ndihmuar Organizatat e Partisë të anës së Sigurimit dhe të Policisë.

Byroja e Komitetit të Partisë nxori dhe përgjegjësinë e vet dhe të sekretarëve që drejtojnë. Ajo gjatë vitit 1972-1973 ka analizuar tri herë probleme të punës së repartit në degë dhe sekretarët e Komitetit të Partisë të gjithë kanë marrë pjesë në mbledhjet e Organizatave të Partisë dhe të anës shtetërore në degë dhe në repart. Por Komiteti i Partisë nuk ka ushtruar kontroll të organizuar, të diferencuar dhe për probleme të veçanta në këto organizata. Kështu, njohja e Byrosë dhe e sekretariatit nuk ka qenë e thellë, e për rrjedhim kërkesa e llogarisë dhe ndihma konkrete kanë çaluar. Kjo ngarkon me përgjegjësi Byronë dhe sekretarët e këtij Komiteti.

Relacioni i MPB-së: Ndaj administratës së kampit u morën masa drastike që të mos përsëriten më ngjarje të tilla
Byroja aprovoi një program të punës së saj për të ndihmuar Organizatat e Partisë në degë dhe në repart, për të ndrequr të metat, sidomos për edukimin ideologjik, për forcimin e jetës së brendshme të Partisë, për shtrimin e kontrollit të Partisë mbi komandën etj. Në Byro dhe në Organizatat Bazë të Partisë u bënë disa kritika, u kritikua Prokurori i rrethit se në disa raste goditja ndaj veprimeve armiqësore të armiqve është e butë, p.sh., një i dënuar që kaloi rrethimin dhe u kap në rrethin e Pukës, u dënua vetëm me një vit e gjysmë, kur ligji e parashikon deri në tre vjet.

U kritikua Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka refuzuar tri propozime për goditje tash një vit, ndërsa tani që ndodhi kjo gjendje, kërkonin “ku i keni ata?”. Po kështu u tha se, kur një i dënuar u dërgon letër-ankesë, merren më shumë me hartimin e saj, ndërsa nuk i japin rëndësi anës tjetër, veprimtarisë së të dënuarve ndaj personelit të shërbimit. U kritikua Drejtoria e Sigurimit të Shtetit se nuk është thelluar në problemet që i ka ngritur Dega e Brendshme në raportet e saj, sidomos për masat që duheshin marrë për goditjet e elementit për veprimtari të mprehtë armiqësore.

U kritikua Dega e Kuadrit e Ministrisë se nuk ka treguar kujdesin e duhur për kompletimin e repartit 303 me kuadro të aftë. Dërgon atje kuadro që bëjnë gabime në reparte të tjera, si dhe u bën premtime për kohën që do qëndrojnë. U kritikua Drejtoria e Policisë se janë vendosur të burgosurit në kamp pa u kryer punimet e nevojshme, si dhe kontrolli dhe ndihma e saj për zbatimin e rregullores së burgjeve dhe kampeve ka qenë e dobët. Ajo përgjigjet drejtpërdrejt për këtë repart. U bë një propozim që Ministria e Punëve të Brendshme të shohë mundësinë për shtimin e një kuadri për sektorin operativ, pasi ka vështirësi kjo punë në kamp.
SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISE
SE RRETHIT
JOVAN BARDHI
(Vijon)

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb