TIRANE- Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka folur sot për vendimin e vështirë të marrë nga partitë opozitare për të mos u regjistruar në KQZ për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Në emisionin “Studion e hapur” të gazetares Eni Vasili në “News24”, Shehi tha se ky vendim nuk ishte i kreut të PD-së, Lulzim Basha, por i të gjithë aleatëve.

Sipas tij kjo masë ekstreme u pa si mundësi për t’i dhënë një tjetër drejtim situatës të krijuar në vend, pasi sipas tij fenomeni i kanabisit është tejet shqetësues.

“Tani jemi në fazën që shpresojmë të arrijmë një kompromis, një zgjidhje. Duhet të arrihet një ligj i ri elektoral, pasi në këto zgjedhje po hyhet me ligjin e vjetër. Ky proces në fakt mund të ishte filluar dy –tre vite më parë. Janë një sërë problemesh deri më tani. Edhe mitingu që do të bëhet në 13 maj është një mjet i opozitës për të treguar zërin e saj. Për këto zgjedhje, zgjidhja e vetme na ka mbetur rruga. Besojmë që kjo të bëjë të reflektojë palën tjetër, apo edhe ndërkombëtarët. Ky lloj raporti që të huajit kanë me qeverinë, që me thënë të drejtën është pak preferencial, është pak i dukshëm, pasi çdo ndërkombëtar sigurisht që do të negociojë me qeverinë që është sot.

Dhe ky raport që kanë ndërkombëtarët me qeverinë nuk duhet të kuptohet si raport i tyre me PS-në. Ky lloj raporti i deformuar ka krijuar idenë sikur ne jemi në vështirësi me të huajt. Nuk është i lehtë vendimi për të bojkotuar zgjedhjet.

Nuk është i lehtë as për Bashën, as për mua, e as për të tjerët. Është një vendim i marrë me vështirësi, por që ia ka vlejtur. Unë do isha dakord për një qeveri teknike, qoftë edhe me disa ministra të ndryshuar, zv/ministra, etj. Këta po ndërrojnë policët përditë”, u shpreh kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: