TIRANE- Avokati Spartak Ngjela me anë të një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut ka ironizuar situatën politike dhe qëndrimin e deritanishëm të Partisë Demokratike.

Ngjela shtron një pyetje, ndërsa shton se të gjithë ata që mendojnë se do ketë revolucion ‘Berisha’ në Shqipëri, duhet të qeshin.

Aleati i Ramës shkon më tej me akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa e cilëson atë si të korruptuar.

MESAZHI I NGJELËS
Vërtet mendoni se do ketë një revolucion “Berisha” në Shqipëri?
Për këtë duhet të qeshni…
I.
Pyetja është kjo:
Kush, ku dhe pse?
Dhe përgjigja është: askush, askund dhe për asgjë.
Kotësia e Berishës si lider ka një histori të gjatë dhe ka qenë dhe është ende një marrëzi e cila tani, pasi i dha diçka të paligjshme, e ka vënë me shpatulla për muri që ta asgjësojë, me gjithë Lulzim përrallën.
Kanë vjedhur, dhe i kanë kapur – kjo është çështja.
Saliu është në fundin e tij. I korruptuar, i bashkuar me kundërshtarët shekullore të Shqipërisë, dhe antiamerikan.
Ka humbur me gjithsejt.
Le të sokëllijë: nuk tremb dot askënd.
Në fakt, Saliu mendon se tremb Ramën, ngaqë i kanë thënë se ai është frikacak.
Po ta zëmë se Rama është frikacak: po Amerika?
Këtu fillon hiçi berishian i pritjes, se nuk ka fare Ramë, Sali, ka Amerikë.
Nëse një frikacak gjendet midis dy frikërave, nuk fiton frika më e vogël, fiton frika më e madhe.
Nëse ka Amerikën me vete, Rama nuk ka marrë frikën, por kurajën me vete.
Po Saliu që ka Amerikën kundër? Këtu duhet të qeshim, sepse frika e Saliut është proverbiale.
Ja këtu dolëm më në fund tamam në temë: kërcënimet e Saliut nuk kanë burim forcën, por dobësinë. I forti nuk e paralajmëron kurrë të dobtin që dëshiron të eliminojë, por e asgjëson pa folur fare.
I dobti, si rregull që është edhe idiot, kërcënon me fjalë të fortin.
Po kë po kërcënon sot Lulzimi me metodën e dobësisë Berisha?
Siç duket Amerikën. Por mu këtu fillon komedia: një grup mesjetarësh, hipur në një anije me vela, me shigjeta dhe me ushta, po sulmojnë Amerikën. Njëlloj si filmi i famshëm anglez me aktorin e madh komik Peter Seller.

II.
Kjo kohë në fakt është e mbushur me komedi; por esencialisht kjo komedi që po zgjat në Shqipëri është në të vërtetë halli i madh i korrupsionit shqiptar: ish ministra e ish kryeministra; gjyqtarë dhe prokurorë, kryetarë bashkish e kryetarë komunash – që të gjithë në hallin e rëndë që i kapi. Por, jo nga rasti: në fakt i ka kapur rrjeta amerikane.
Nuk çahet dot ajo rrjetë, Sali! Mos u lodh kot me klithma asgjëje që prodhojnë vetëm komedi. Se, po të të donin në zgjedhje, të kishin futur më forcë amerikanët, Sali. Nuk e pe, o Sali ziu që nuk bënë asnjë demarsh force amerikanët që ti të hyjë në zgjedhje?
Çfarë revolucioni do të bëjë Saliu; mos ndoshta revolucionin e Mafies së identifikuar nga antikrimi?
Turp i madh. Brezat do të qeshin me këtë derëzi e punëzi që nuk pati mundësi të vidhte fshehtas, dhe u lodh kot së koti dhe fare kot që të ruante gjënë e vjedhur me një revolucion virtual.

lll.
Po ç’është në fakt ky revolucion berishian?
Historianët e mëdhenj në kanë thënë se, që të bëhej Revolucioni Francez duhej që:
Të kishte një Volter që ta ideonte; duhej të kishte një Ruso që ta trajtonte moralisht; duhej që të kishte një Kondorsé që ta strukturonte – por, ama, duhej të kish edhe një Danton që të dinte ta bënte.
Humori është se, këtu në Shqipëri, sot i bie që Volter të jetë Saliu, me frazën e tij të këputur që nuk thotë dot asgjë; Rusoi kushedi ku ndodhet në ndonjë mejhane duke pirë; kurse Danton i takon të jetë Lulzmi me zë të ngjirur që nuk di të artikulojë asnjë ide. Qeshni me këta mjeranë, se nuk do të keni rast humori më të mirë se ky. Është “revolucioni” neo-bashibuzuk në Shqipëri.
Qeshni sa herë që ta mendoni!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb