TIRANË- Avokati Spartak Ngjela i njohur për komentet e tij mbi situatën politike këshillon që zgjedhjet e 25 qershorit të mos merren seriozisht. Sipas tij , këto zgjedhje do zgjedhin deputetë, por nuk do të lindin dot një pushtet të mirëfilltë.

Shteti i vërtetë, siç shkruan Ngjela në Facebook do krijohet vetëm pas bërjes së plotë të Reformës në Drejtësi.

STATUSI I PLOTË
Mos i merrni shumë seriozisht këto votime: po të ecë drejt Reforma në Drejtësi, këto zgjedhje nuk mund të lindin dot pushtet.
Ky është një mendim i saktë racional.
Por, a do të ecë drejt Reforma në Drejtësi?
Ajo tani po ecën normalisht.
Por, a mund të bllokohet Reforma nga të dyja palët në bashkim?
Tani, pas ardhjes së Hoyt Brian Yee në Tiranë dhe pas kërcënimit të tij të hapur për denoncimin publik amerikan të abuzimit, le të bashkohen si të duan, Reformën nuk e ndalojnë dot. Sepse “frika i ruan vreshtat”, thonë shqiptarët. Dhe turp për këta pushtetarë që reformën e cila është në interes të madh historik të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, u detyruan ta bëjnë nga frika. Historia do të tallet me këta levendë.
Këta vetë, do të jenë të gjithë nën kontroll, në një kohë kur dihet se të gjithë nuk i justifikojnë dot pronat.
Gjithsesi shqiptarët nuk duhet të mërziten, sepse ne ende nuk kemi shtet. Shteti pa ligj dhe pa drejtësi, nuk llogaritet më si shtet. Kjo Reformë po na i ofron këtë mundësi pas njëqind vjetësh abuzim kundër shqiptarëve në të gjithë Ballkanin.
Shqiptarët në shtetin e tyre, në fakt, kanë votuar kot: me pasion feminor; sepse ata që deri tani janë votuar nga shqiptarët për t’i qeverisur, kanë vjedhë para dhe janë tallur me shqiptarët. Dhe shqiptarët përsëri kanë votuar; dhe ata përsëri kanë vjedhur varfërinë e shqiptarëve ; dhe shqiptarët të gënjyer se do t’iu ndërtonin shtetin e tyre, përsëri i kanë votuar, e sërish janë vjedhur nga të zgjedhurit.
Po tani, në këto zgjedhje?
Edhe këto zgjedhje nga vjedhësit administrohen, por këtu gjithçka po ngec: do bëhet Reforma amerikane e Drejtësisë.
Ja kjo i tremb: shumica do të ikin të shpronësuar. Por në fakt, ky do të jetë shteti, dhe jo shteti imagjinar që po na flet Rama; një shtet pa drejtësi dhe pa ligj si ky yni, ku duart nuk priten nga forca e ligjit se nuk ka as prokurori që t’i akuzojë dhe as gjykatë që t’i gjykojë. Dhe Rama na paska bërë shtet!!!
Shteti modern shqiptar fillon të ndërtohet pas Reformës në Drejtësi.
Është kështjellë ligjore shteti, zotërinj! Dhe, si i tillë, kjo kështjellë ngrihet vetëm atëherë kur ka mposhtur padrejtësinë.
Por, a do ta mposhtim dot ne shqiptarët padrejtësinë?
Kjo tani është një gjë e sigurt: këtë e garanton aleanca shqiptaro- amerikane. Prandaj unë them se këto zgjedhje do zgjedhin deputetë, por nuk do të lindin dot një pushtet të mirëfilltë. Ky lloj pushteti politik do të vijë pasi të jetë strukturuar pushteti gjyqësor, i cili do t’i hapë rrugën shtetit të drejtë modern dhe institucional shqiptar.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: