TIRANE- Paskal Milo, kreu i Partisë Demokracia Sociale, aleat i kryeministrit Edi Rama, ka komentuar vendimin e këtij të fundit për të tërhequr kandidatin nga gara për zgjedhjet për kreun e Bashkisë Kavajë.

Në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili në “News24”, kreu i PDS te ka cilësuar një veprim të mençur vendimin e kryeministrit Rama për të tërhequr kandidatin. Sipas Milos do të ishte nonsens nëse do të bëheshin zgjedhje në Kavajë pa një garë.

“Do ishte nonsens nëse do të bëheshin zgjedhje në Kavajë pa një garë. Tërheqja për të mos bërë zgjedhje, ishte një veprim i mençur, një veprim i urtë, pavarësisht se cilat janë rrethanat që diktuan tërheqjen. Vlerësohet kontributi i ndërkombëtarëve për të zbutur tensionet, dhe për të arritur një kompromis të mundshëm mes palëve. E rëndësishme që është nga situata në Kavajë, nuk ka fituar “sherri”. Pasojat që mund të derivonin nga situata në Kavajë do ishin të dëmshme. Ndaj tërheqja është një veprim i mençur”, u shpreh kreu i PDS, Paskal Milo.

Duke u ndalur tek kriza politike në vend dhe mosregjistrimi i partive opozitare në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit, tha se kjo krizë është e para që rrezikon të shkaktojë zgjedhje parlamentare pa kundërshtarë.

“Në 26 vite demokraci mendoj se kjo është kriza e parë që rrezikon të shkojnë një zgjedhje me një palë, pra pa kundërshtar. Mendoj se ky është një handikap. Nuk janë zgjedhje normale. Se e kujt është përgjegjësia për këto zgjedhje, gjithmonë nëse do të bëhen, për mendimin tim nuk është e njëanshme. Nuk është vetëm e PS. Zgjedhjet e 18 qershorit duhet të zhvilloheshin. Propozimi për qeveri teknike nuk i la mundësi atyre për kompromis, apo për kompromise mes bisedimeve. Jam dakord me Vokshin se problemi i drogës është shumë i rëndësishëm, është një problem që e penalizon këtë qeveri. Është një problem që ka marrë jehonë. Qeveria ka marrë disa masa, por duhet ende.

Por që ju t’i lidhni këmbët vetes për negociata që mund t’ju çonin në një pozitë më të mirë dhe të merrnit pjesë në zgjedhje, këtë e dini ju. Kërkesa për zgjedhje të lira e të ndershme është shumë legjitime. Dhe nëse ju do të kërkonit ndryshim për Kodin Zgjedhor apo për votimin dhe numërim elektronik, që për mua do të ishte e realizueshme, do të kishit mbështetje. Por ju e lodhet veten me kërkesën për qeveri teknike duke rrezikuar të mos shkoni në zgjedhje. Unë besoj se PD dhe mazhoranca të paktën deri të hënën kur të vijë zyrtari amerikan të kenë një mundësi për të arritur një kompromis. Mesa di unë, PD është duke kërkuar marrëveshjen “McAllister plus”. Se çfarë përfshin ajo “plus” mbetet për t’u parë. Unë mendoj se ju duhet të çliroheni një orë e më parë nga protesta juaj për qeveri teknike”, u shpreh Milo.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb