Pas zgjedhjes si President i Republikës së Shqipërisë, një urim për Ilir Metën ka ardhur edhe nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti shprehet besimplotë se nën lidershipin e tij marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë  do të vazhdojnë që të zgjerohen edhe më shumë në funksionin e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies rajonale me qëllim që ta përmbushin  synimin e përbashkët strategjik të integrimit evropian.

Urimi i plotë për Ilir Metën:

I nderuar zoti President,
Duke mirëpritur zgjedhjen Tuaj në postin President i Republikës së Shqipërisë, më lejoni që në emrin tim dhe të të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, t’Ju shpreh urimet më të përzemërta dhe t’Ju uroj suksese në përmbushjen e misionit që po ndërmerrni. Ne njihemi gjatë dhe kemi punuar bashkë në kohëra vendimtare për kombin dhe rajonin. Andaj, jam i bindur që Ju, me maturinë, urtësinë dhe eksperiencën Tuaj, do të arrini të adresoni me sukses sfidat me të cilat po përballet sot shteti shqiptar dhe shqiptarët në përgjithësi.

Uroj, që nën lidershipin tuaj, partneriteti dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të thellohet dhe zgjerohet në funksion të paqes, stabilitetit dhe mirëqënies rajonale për të përmbushur synimin tonë të përbashkët strategjik të integrimit evropian.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për Presidentin Bujar Nishanin për mbështetjen e vazhdueshme për shqiptarët e Maqedonisë dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik duke zbatuar politika të fqinjësisë së mirë për të gjitha vendet në hapësirën tonë rajonale.

Duke shprehur edhe një herë urimet e mia, Ju lutem pranoni, zoti President Meta, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

(e.f/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb