Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij në Facebook “Amarcord”, ka përkujtuar sot Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër.

“AMARCORD

Një kartolinë e veçantë e 22 majit 1909, dërguar Lumo Skëndos në Selanik nga Lazër Gurakuqi, i mundëson Amarcord të kujtojë vërtet me dashuri dhe mirënjohje dy momente të historisë sonë të përbashkët.

Kartolina shfaq për nga pamja të fismin Kolegj Saverian (Shën Françesk Ksavierin) të Jezuitëve në Shkodër, ndërtesë madhështore dhe mëmë ushqyese në mendje e zemër e aq shumë figurave kombëtare, për të cilin Faik Konica pat shkruar se: “Me këto e të tjera, Kolegji Saverian mbahet në një shkallë të lartë dhe të gjithë ata që kanë parë shkollat e Francës e të Evropës munden të dëshmojnë se ajo e Shkodrës është e zonja për shumë punë, të vihet në një me to”.

Këtë vit, Kolegjit i përkujtohet 140 vjetori i krijimit.

Për nga përmbajtja, kartolina kumton shkëmbimet e librave, revistave dhe periodikeve mes elitës së veriut të Shqipërisë dhe ajkës së Toskërisë dhe diasporës, por jo vetëm. Për këdo që e harron, Lazër Gurakuqi nënvizon, me siguri prej famës së madhe marrun prej dinastisë së fotografëve, se Kel Kodheli nuk ekzistonte më në Shkodër veçse si Kel Marubbi dhe se me identitetin e vjetër, nuk arrinte me marre në postë risitë që vinin nga metropolet e Mesdheut nën kujdesin e Lumo Skëndos”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: