KORCE– Birra “Korca” rikonfirmohet vazhdimisht si prodhimi më i suksesshëm vendas, ndërsa fabrika e Birrës “Korça” një gjigand teknologjik, është kthyer në një destinacion jo vetëm për turistët, por edhe për ambasadorët e huaj. Fabrika ku prodhohet birra më e mirë në vend dhe në tregje të huaja, është kthyer në vendin më të vizituar të qytetit të Korçës.

Këtë herë atë e ka vizituar ambasadori austriak Johann Sattler. Pasi pa nga afër ambientet e fabrikës së Birra “Korça”, ambasadori austriak shprehu impresionin e tij për këtë investim gjigand i cili dita-ditës rritet falë një prodhimi cilësor dhe me standarde.

“Kjo është fabrika më e vjetër e birrës në vend dhe ka qenë ndër prioritetet e mia për ta vizituar.
Ishte mirë ta shihja që kjo fabrikë përdor edhe produkte austriake për prodhimin e birrës. Austria ka birrari të vjetra 600-700 vjeçare, dhe është për t’u vlerësuar fakti që bashkëpunojnë me birraritë në Shqipëri. Kjo është një fabrikë që ka standarde të larta dhe të dukshme. Kushtet higjieno-sanitare janë gjëja më e rëndësishme për fabrikimin nëse do të bësh një produkt cilësor dhe me standarde. Duke ditur historikun e kësaj fabrikë, dhe duke parë që është jo vetëm më e madhja në tregun vendas, por edhe në atë të huaj, them se ky është një investim model dhe ideal”, u shpreh ambasadori Johann Sattler.

Ambasadori nuk ka lënë pa shijuar edhe birrën “Korça”, për te cilën shprehet se është speciale.

“Birra Korça ka një shije të mrekullueshme. Ishte diçka speciale. Provova birrën e turbullt që është ndër më të mirat dhe më e freskëta në treg. Kjo birrë shumë shpejt do të ofrohet edhe në restorantin e Birra “Korça” duke plotësuar kështu kornizën e një biznesi që plotëson gjithçka”, u shpreh ambasadori.

Pasi u takua me drejtuesit e fabrikës, ambasadori ka marrë edhe një dhuratë simbolike. Si një kujtim të veçantë të asaj çfarë përfaqëson kjo fabrikë ambasadorit iu dhurua një foto e fabrikës në vitin 1928 dhe një foto e saj aktuale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb