TIRANE- Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo teksa komentoi situatën politike në vend, u ndal tek marrëveshja Rama-Basha.

I ftuar në ‘Këndin e Ekselencës’ në Vila 24, në “News24”, Milo foli për dy anë të kësaj marrëveshje, ajo çka mbështetën gjithë shqiptarët, por dhe për një anë të errët të saj.

“Marrëveshja ishte shumë e mirë, pasi duhej futja e opozitës në zgjedhje. Marrëveshja ka dhe pjesën e errët të saj. Në substancë është marrëveshje Rama-Berisha. Jo se zoti Basha se ka arritur lidershipin e ti, pasi ka fituar shumë, por fakti është se Berisha e thotë fjalën i fundit”, tha Milo. Nga ana tjetër ai komentoi dhe faktin se si u duk kjo marrëveshje në sytë e shqiptarëve, shkruan ‘BalkanWeb’.

“Unë besoj se në përgjithësi marrëveshja duhet të jetë pritur mirë, sidomos pjesën e parë. Pjesa e dytë e marrëveshjes ka ngjallur dyshime, madje dhe ne na takon që të takojmë qytetarë, që shprehen hapur kundër. Ky është një koalicion PD-PS, dy partitë e mëdha, kundër të voglave. Kjo marrëveshje është si ajo e 2008, për të vendosur bipolaritetin e politikës shqiptare. Janë arritur marrëveshje në dëm të të tretëve, dhe marrëveshjet e tyre nuk janë të motivuara nga interesat e shqiptarëve”, pohoi ai.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb